Gentian Çollaku është arrestuar me urdhër të SPAK nën akuzën se ka bërë thirrje për akte terroriste dhe më pas GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. Nga hetimet e Prokurorisë, ka rezultuar se Çollaku bënte thirrje për terrorizëm nëpërmjet postimeve në rrjete sociale.
Kanë qenë agjentët e Antiterrorit që kanë mbajtur nën vëzhgim postimet e këtij shtetasi dhe më pas SPAK ka lëshuar urdhër arrestin një ditë më parë, raporton gazetari Ermal Vija. Në postimet e tij, ai e cilësonte luftën në Siri si të drejtë dhe iu bënte thirrje të tjerëve t’i bashkoheshin kësaj lufte.
Gazetari raporton se ai ishte nën “lupën” e autoriteteve që në vitin 2015. Kohëve të fundit, ai ka shtuar postimet për terrorizëm duke bërë që të niset një hetim ndaj tij. Në një postim, ai shkruante: “Shejk Ebu Bekr el-Baghdadi: Nëse nuk ndaleni së luftuari ndaj neve, atëherë dijeni se ne kemi ushtarë të cilët nuk flejnë.”