Gjatë ditës së parë të armëpushimit, Hamasi liroi 24 pengje, 13 izraelitë, 10 tajlandezë dhe një filipinas, ndërsa Izraeli nga ana e tij ka liruar 39 palestinezë (gra dhe fëmijë), si pjesë e marrëveshjes Izrael-Hamas, siç njofton Ministria e Jashtme e Katarit.
Midis 13 izraelitëve janë Ruthi Mondar së bashku me Keren Mondar dhe Ohad Mondar, Danielle Aloni dhe Emilia Aloni si dhe Hannah Katzir, Margalit Mozes, Yafa Ader, Hannah Perry dhe Adina Moshe.
Sipas Times of Israel, Hanna Katzir, për të cilën Lëvizja e Xhihadit Islamik në Palestinë tha se kishte vdekur në fillim të këtij muaji, është në mesin e 13 izraelitëve që janë liruar, konfirmon familja e saj.
Gjithashtu, tre anëtarë të familjes Mundar të mbajtur peng nga Hamasi që nga 7 tetori janë në mesin e 13 izraelitëve të liruar. Pengjet e liruara janë 9-vjeçari Ohad, nëna e tij 55-vjeçare Keren Mundar dhe gjyshja e tij 78-vjeçare Ruti. Burri i Rutit, Avraham Mundar, mbetet në Gaza.
Në të njëjtën kohë, banorët e Nir Oz njohën fqinjet e tyre, 72-vjeçaren Adina Moshe dhe 77-vjeçaren Margalit Mozes, të cilat u kthyen Izrael.
Çfarë parashikon marrëveshja Izrael-Hamas?
Pengjet e liruara janë vetëm një grup i vogël nga 240 personat e mbajtur nga Hamasi që nga sulmi befasues dhe vdekjeprurës i 7 tetorit. Lirimi i 13 pengjeve është e para nga katër fazat që do të ndodhin. Hamasi ra dakord të lironte rreth 50 pengje gjatë armëpushimit katërditor me Izraelin. Të gjithë fëmijët dhe gratë.
Izraeli do të lirojë 150 të burgosur palestinezë të akuzuar për terrorizëm, të gjithë gra dhe të mitur, në këmbim të 50 izraelitëve. Kështu, tre të burgosur palestinezë do të lirohen nga burgjet izraelite për çdo peng, përfshirë të mitur dhe gra./K.C/dritare.net