Qeveria e Kosovës ka miratuar me shumicë votash masat e reja antiCOVID. Në kuadër të masave të reja do të heqet ora policore dhe do të zgjatet orari i punës për gastronominë deri në ora 23:00.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë në mbledhjen e qeverisë se do të lejohet edhe lëvizja e qytetarëve pa maska kur janë vetëm dhe në ambiente të jashtme.
“Sipas IKSHPK-së, situata me koronavirus paraqitet e qëndrueshme, me vazhdimin e uljes së rasteve pozitive. Ulja e rasteve në dy javët e fundit ka shënuar ulje 67 për qind. MSH propozon masa të lehtësuara. Në vija të përgjithshme, masat kryesore do të jenë: kufizimi i orarit do të hiqet, nga ora 00:00 nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 10 persona në ambiente të hapura apo ambiente të tjera, përveç me familjen . Zgjatja e orarit të punës për gastronominë. deri në 23:00. Lejimi i lëvizjes së qytetarëve gjatë ecjes pa maska kur ata janë vetëm, në ambiente të hapura. Këto masa do të hyjnë në fuqi të hënën”, tha Vitia gjatë mbledhjes së Qeverisë.