Pista e hetimit të rastit ‘Brezovica’ tashmë është zgjeruar dhe në pranga të Policisë kanë rënë edhe 14 persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale. Në kuadër të këtij rasti, Prokuroria Themelore në Ferizaj zhvilloi sot aksion, në asistim me Policinë, ATK-në dhe Doganën, ku u bastisën 8 auto sallone.
Aksioni ka përfunduar me vënien në pranga të të dyshuarve për fajde, detyrim e shmangie nga tatimi dhe konfiskimin e veturave, armëve e dëshmive të tjera, që do të shfrytëzohen si prova në këtë rast.
Prokurori i rastit, Rasim Maloku, pas përfundimit të këtij aksioni ka bërë me dije për Sinjalin se bastisjet janë kryer në gjithsej 8 auto sallonet, emrat e disa prej të cilave Sinjali i ka zbuluar gjatë ditës.
Auto sallonet “Iliri, “Besa” dhe “Lipjani”, janë vetëm disa nga këto biznese në të cilat zbarkuan sot njësitë e Policisë, ku u konfiskuan edhe vetura luksoze, që kapin vlerën e miliona eurove.
Burimet e Sinjalit thonë se disa prej të arrestuarve janë edhe pronarë të këtyre bizneseve, por jo të gjithë janë kapur në bizneset e tyre, prandaj janë kryer kontrolle edhe në disa shtëpi, lokale e zyre të ndryshme.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.