Me ftesë të Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (AUSA), komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së Mbrojtjes “AUSA 2024” në Washington D.C, SHBA.
Fillimisht, Gjeneral Jashari u takua me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane, Gjeneral Randy A. George, ku u diskutua lidhur me bashkëpunimin bilateral mes dy ushtrive, stërvitjet e përbashkëta, si dhe aktivitetet e tjera të përbashkëta.
Sipas një njoftimi të FSK-së, Jashari falënderoi Gjeneralin George për mbështetjen e vazhdueshme si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.
“Më pas Gjeneral Jashari u takua me Komandantin e Komandës së Asistencës Ushtarake të Ushtrisë Amerikane, Gjeneral Brigade Allan J. Pepper, ku u diskutua lidhur me asistencën në projektet e sistemeve të armatimit, pakot e trajnimit, si dhe fusha tjera përkatëse. Përveç pjesëmarrjes në sesionet kryesore të konferencës dhe panairit, Gjeneral Jashari gjithashtu u takua me përfaqësuesit e disa prej agjencive kyçe të mbrojtjes me fokus të veçantë rreth bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes. Po ashtu, u njoftua me zhvillimet më të fundit teknologjike, përmes prezantimeve informuese dhe paneleve të diskutimit mbi fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në aktivitetet përkatëse, Gjeneral Jashari theksoi rëndësinë e madhe dhe mundësinë e shkëlqyer që ka pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar, për të vlerësuar faktin që krahas ndryshimit të kontekstit gjeopolitik, avancimit të teknologjisë ushtarake dhe avancimit të bashkëpunimit me shtetet aleate. Vizita e Gjeneral Jasharit është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përderisa FSK po hyn në fazën përfundimtare të procesit të tranzicionit. Gjithashtu kjo vizitë shprehu rëndësinë e partneritetin tonë shumë të ngushtë me SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhet në njoftim.