Pas paralajmërimeve jozyrtare tash edhe formalisht është konfirmuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në rend dite të grupit punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian, me datën 13 tetor.
E ka konfirmuar këtë Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së, duke bërë publik rendin e ditës për takimin e këtij grupi punues.
Kjo do të jetë kjo hera e parë që Këshilli i BE-së zyrtarisht diskuton për liberalizimin e vizave për Kosovën që kur në vitin 2016 për herë të parë ishte dhënë mendimi pozitiv, por i kushtëzuar i Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës. Më vonë në vitin 2018 përfundimisht Komisioni kishte konstatuar se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe kishte rekomanduar përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve qytetarët e së cilave nuk kanë nevojë për tu pajisur me viza për udhëtime në vendet e BE-së dhe vendet që nuk kanë anëtare të saj por janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë të Schengenit, si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.
Takimi i grupit punues për vizat në Këshill do të jetë rasti i parë për të testuar mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave. Nëse dëshmohet mbështetja, atëherë do të vazhdohet me procesin në të cilin përsëri do të përfshihen edhe Parlamenti Evropian dhe Komisioni. Formalisht procedura mund të përmbyllet deri në fund të vitit.
Diplomatët e BE-së në Bruksel pohojnë se ekziston një vullnet i mirë nga vendet anëtare, nuk dëgjohen më zëra kundër liberalizimit të vizave, por nuk duan të përmendin ndonjë afat formal se kur do të mund të miratohej vendimi dhe kur do të hynte ai në fuqi. Vendosjen e kësaj teme në rend dite në Këshill diplomatët në BE e quajn si “fillim i fundit të procesit” për të cilin pranojnë se ka zgjatur tepër shumë.
Liberalizimi i vizave për Kosovën shihet edhe si një rast përmes së cilit BE-ja do ta forcojë kredibilitetin e saj në rajon dhe ta kthejë besimin në dhe te qytetarët e Kosovës. Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian tash e katër vite vazhdimisht kanë konfirmuar mbështetjen formale për liberalizimin e vizave dhe kanë kërkuar që ky hap të miratohet pa vonesa të reja.
Tash për herë të parë kjo temë po vendoset në strukturat e Këshillit të BE-së ku janë përfaqësuesit e vendeve anëtare.