Deputetët e Listës Serbe që ia mësynë Kuvendit të Kosovës për t’u nënshkruar sa për t’i ruajtur mandatet e tyre, veprim që e bëjnë për të disatën herë me radhë, të enjten u penguan që në hyrje të sallës nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ligjvënësit e LVV-së bllokuan njërën prej dyerve të sallës së seancave që të mos i linin të hynin.
Arsyet, sipas tyre, ishin mosdistancimi i Listës Serbe nga sulmet në veri dhe shfrytëzimi i mandatit të deputetit vetëm për pagë.
Kur deputetët e Listës Serbe u futën në sallë e u nënshkruan, ata të Vetëvendosjes nisën konfrontimin me ta.
Nuk e dëshironin praninë e tyre gjatë zhvillimit të punimeve.
“Po të themi ne me aksion politik që ju nuk jeni të mirëseardhur këtu”, ka thënë Besim Muzaqi, deputet nga radhët e LVV-së.
Deputetët Halil Thaçi e Enver Dugolli që nuk i lejuan të uleshin në ulëset e tyre, nisën t’u kërkonin përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, atë në kanalin e “Ibër-Lepencit” e edhe për sulmet e tjera në veri.
U përmend edhe vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku.
Deputetët po ashtu i pyetën nëse vazhdojnë t’i shërbejnë ish-nënkryetarit të partisë së tyre e organizatorit të sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq.
“Radoiçiqi, a është shefi juaj politik…?”, pyeti deputeti Ardian Gola.
Pas disa minutash konfrontim, në sallë u fut kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se ardhja e tyre në Kuvend ishte provokim.
“U drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë e provokojnë në këtë mënyrë. E patolerueshme në Kuvend kjo sjellje, një herë në 6 muaj me ardhë me keqpërdorë para të taksapaguesve. Në anën tjetër, e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel Radoiçiq. E keni guximin me ardhë në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë e kërkoj me e liru këtë sallë”, ka thënë Konjufca.
Më pas, deputetët e Listës Serbe u larguan nga salla dhe seanca u ndërpre për gati dy orë.
Deputetët e Listës Serbe së fundmi kanë qenë në Kuvend më 27 qershor.
Këtë praktikë të ruajtjes së mandateve duke u shfaqur një herë në 6 muaj në Kuvend e kanë vazhduar prej paraardhësve të tyre që në nëntor të 2022-tës, të cilët dorëzuan mandatet në Kuvend, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS.
Në fundvitin e 2022-tës, serbët dhanë dorëheqje pothuajse nga të gjitha institucionet, përfshirë nga Policia e sistemi i drejtësisë për shkak të veprimeve të autoriteteve të Kosovës në veri, për të vendosur rend dhe ligj.
Reagimi i Serbisë ishte i menjëhershëm. Kryediplomati Marko Gjuriq, ka postuar një video duke thënë se po tentohet që deputetëve serbe t’u merret mandati me forcë.
“Kjo lëvizje synon të bllokojë pjesëmarrjen e tyre në seancë dhe me forcë t’ua marrin mandatet”, tha ai, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë për këtë zhvillim dhe të “sigurojë mbrojtjen e proceseve demokratike dhe të drejtave të minoriteteve”.