Kosova U19 ka marrë fitoren e parë për kualifikimet e Kampionatit Evropian për grupmoshat U19 duke mposhtur Spanjën në ‘Fadil Vokrri’.
‘Dardanët’ e rinj triumfuan me rezultat 4-3 ndaj ‘La Roja’ duke arritur që fitoren ta sigurojnë në çastet e fundit të takimit.
Në fakt ishin spanjollët ata që patën një avantazh prej dy golave, por Kosova shpejt arriti që të përmbysë gjithçka për ta kthyer rezultatin në favorin e tyre.
Dior Gerbovci dhe Edion Gashi shënuan nga një gol për të barazuar rezultatin në 2-2 para se lojtari spanjoll Raul Jimenez Latorre të shënonte autogol për epërsinë e Kosovës prej 3-2.
Në pjesën e dytë Spanja e gjeti sërish golin kësaj radhe me Omar Janneh i cili shënoi për rezultatin 3-3.
Të besuarit e Adil Maliqit tri pikët i siguruan në ‘frymën e fundit’ duke realizuar për rezultatin përfundimtar 4-3 me një gol të Elvir Gashijanit.
Pas kësaj fitore Kosova renditet në pozitën e dytë në grup me tri pikë, teksa atë e kryeson Austria me gjashtë sosh.
Kjo nuk është e tëra nga ‘Dardanët’ e rinj pasi të martën ata do të kenë një tjetër ndeshje, kësaj radhe në udhëtim ndaj Ishujve Faroe.