Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, ka reaguar pasi krerët e Listës Serbe janë parë sot të rreshtuar në Batajnicë, duke përcjellë një stërvitje të ushtrisë serbe, ku ishin ekspozuar mjete luftarake dhe armatim.
Vela ka thënë se “Lista Srpska nuk do të jetë kurrë një përfaqësues autentik i serbëve të Kosovës, por më tepër një mjet në shërbim të regjimit të Serbisë”.
“Në vend që të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit dhe të punojnë për mirëqenien e serbëve të Kosovës, ata vendosin të bëjnë një ekskursion dhe të pozojnë si kloun para disa armëve. Patetike!”, ka shkruar Vela në Twitter.
Forcat e Armatosura të Serbisë prezantuan sot në aeroportin e Batajnicës pajisjet dhe aftësitë e reja të pjesëtarëve të saj, ndërsa në ekspozitën “Granit 2023” mori pjesë kryesia shtetërore e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
Aty ishin edhe liderët politikë të serbëve nga Kosova. Në podium ishin krerët e Listës Serbe Milan Radoiçiq, Goran Rakiq, Igor Simiq, Dalibor Jevtiq dhe të tjerë nga kjo parti.
Në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë, të cilët ishin bartur në atë varrezë masive.
Më shumë se 1,640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të pagjetur që nga përfundimi i luftës më 1999.
Pjesëmarrja e politikave të partisë Lista Serbe në një shaqje të tillë ushtarake në Serbi vjen një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme komunale për katër komunat me shumicë serbe; Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.