Marrëdhënia mes Donald Trump dhe Elon Musk po përjeton krisjet e para. Ose të paktën egoja e themeluesit të Space X, shtuar në interesat e tij personale, rezulton të jetë më e fortë se besnikëria ndaj Presidentit Amerikan për shkak të një vendimi të administratës, pjesë e së cilës bën pjesë vetë si drejtues i Agjencisë për Efiçencë Qeveritare.
Vetëm pak pas njoftimit të një investimi masiv për infrastrukturën e Inteligjencës Artificiale, Musk u përpoq që ta hidhte poshtë planin. “Ata nuk i kanë paratë”, shkruan në rrjetin social X, duke shtuar se SoftBank ka më pak se 10 miliardë dollarë.
Trumpi tha se investimi do të krijojë një kompani të re të quajtur “Stargate”, për ta bërë Amerikën, lider të infrastrukturës së Inteligjencës Artificiale.
Liderët e SoftBank, OpenAI dhe Oracle ishin bashkë me Trump kur konfirmuan se do të investojnë fillimisht 100 miliardë dollarë për nisjen e projektit, me plane konkrete për të hedhur deri në 500 miliardë dollarë në Stargate gjatë viteve të ardhshme.
Por nuk është një surprizë kundërshtimi i Elon Musk, i cili ka ngritur një padi kundër OpenAI dhe drejtuesit të saj Sam Altman.
Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë ka hedhur poshtë pretendimet e miliarderit duke kërkuar që “populli amerikan t’i besojë fjalëve të Presidentit Trump dhe drejtuesve të atyre kompanive”.
Edhe Altman iu përgjigj drejtpërdrejtë Elon Musk, duke i thënë se ka vlerësim të gabuar dhe e ftoi që të vizitonte zonën ku tashmë po ndërtohet kompania Stargate. Një burim për CNN thotë se kompanitë në fjalë i kanë një pjesë të parave, ndërsa do të marrin dhe kredi për të finalizuar planin.