Kriza tjetër: uri për punëtorë…të vjetër në moshë!

Kip Conforti drejton një kompani të dërgesës së paketave në Pensilvani, SHBA, duke e bërë zakon të punësojë punonjës të rinj, madje edhe nxënës të shkollave të mesme, me kohë të pjesshme. Por muajt e fundit ai ka punësuar njerëz të moshuar, madje edhe 70-vjeçarë.

Ai deklaron se është lodhur nga të rinjtë pasi, siç thotë ai, gjejnë lloj-lloj justifikimesh për të shtyrë orarin e punës. Ata zakonisht vijnë në punë vonë, bëjnë telefonata të shpeshta nga zyra për çështje personale dhe kalojnë më shumë kohë në mediat sociale sesa duke folur me klientët.

Për sipërmarrësin Kip Conforti, punësimi i punëtorëve më të vjetër ka pasur rezultate mbresëlënëse. “Ata mund të fillojnë turnin e tyre në orën 9 të mëngjesit dhe të jenë në punë dhjetë minuta më parë. Kjo do të thotë etikë pune për ta”, thekson ai.

Siç komenton artikulli i Wall Street Journal, punëtorët e moshës 55 vjeç e lart kanë qenë shumë të kërkuar në kompani gjatë muajve të fundit.

Në një sondazh të Wall Street Journal-NORC muajin e kaluar për vlerat e amerikanëve, tre të katërtat e atyre 65 vjeç e lart thanë se puna e palodhur është shumë e rëndësishme për ta. Tek të rinjtë e moshës 18 deri në 29 vjeç, shifra përkatëse ishte 61%.

Bazuar në rezultatet e sondazhit, njerëzit e moshës 55 vjeç e lart janë tani segmenti me rritje më të shpejtë të fuqisë punëtore në SHBA. Ndryshimet demografike mund të japin një shpjegim të arsyeshëm për këtë prirje. Njerëzit jetojnë më gjatë dhe kanë më pak fëmijë.

Përveç kësaj, disa pensionistë nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të punojnë për të përballuar bukën e gojës për shkak të rritjes së inflacionit.

Megjithatë, disa biznese kërkojnë të punësojnë njerëz të moshuar me premisën se vitet e tyre janë një pasuri e madhe. “Ka shumë kuptim të punësosh punëtorë me përvojë, sepse ata janë një garanci e stabilitetit,” thotë Heather Tinsley-Fix, këshilltare e lartë për të drejtat e punëdhënësve në Federatën Amerikane të Pensionistëve (AARP).

KinderCare Learning Cents Inc., e cila operon më shumë se 1,500 objekte të kujdesit për fëmijët, nënshkroi një kontratë gushtin e kaluar për të rritur punësimin mes mungesës së madhe të punonjësve të kujdesit për fëmijët. Prandaj iu drejtohej punëtorëve mbi 50 vjeç.

“Në më pak se një vit, KinderCare zbuloi se kjo lëvizje dha rezultat”, thotë Travis Trotman, drejtori i blerjes së talenteve të kompanisë. “Ka një vullnet nga kjo grupmoshë për të punuar në turnin e mëngjesit ose për të punuar për aq kohë sa duhet”, shton Trotman.

“Në vitin 2021, firma globale e personelit ManpoëerGroup Inc. nisi një program të rekrutimit të punëtorëve të rritur në përgjigje të shqetësimeve të klientëve të saj për mungesën e fuqisë punëtore”, thotë Corel McDowell, kjo 69-vjeçare amerikane, e cila edhe pse kishte dalë në pension, iu bashkua sërish kompanisë ku punonte dhe drejtoi nismën për të rekrutuar “punëtorë të pjekur”, komenton botimi amerikan.

Por ky fenomen s’mund të jetë vetëm ameerikan, padyshim është dhe global.

Bota e teknologjisë po godet rëndë moralin e punës te brezat e rinj, duke i bërë ata dembelë dhe aktiv vetëm në kërkim aventurash. Kështu që potencial ende i shëndetshëm në kuptimin moral për punë, mbetet ai brez që nuk u pushtua nga rrjetet sociale.