Është hequr përsëri flamuri i Serbisë në Konsullatën e Minoritetit Kombëtar Serb në qytetin Varazhdin të Kroacisë, lajmëroi një organizatë serbe duke e dënuar si akt urrejtje.
Zëdhënësja Administratës së Policisë në Varazhdin të Kroacisë, lajmëroi se flamuri serb në këtë konsullatë ishte vjedhur, derisa flamujt e tjerë nuk ishin prekur.
Barbara Antoliç Vupora, anëtare e parlamentit kroat tha se e dënon fuqishëm një veprim të tillë, derisa e quajti aktin “vandalizëm”.
Ajo tha se duke e ditur se një gjë e tillë nuk është hera e parë që ndodh ndaj flamurit serb, “dikush po dërgon mesazh te disa qytetar se nuk janë të mirëseardhur këtu”.
“Jam e bindur se veprime të tilla nuk do të ndodhnin po t’u kishim mësuar tolerancë fëmijëve tanë në një moshë të hershme, por veprime si kjo në fakt tregojnë se kemi dështuar në këtë aspekt”, tha ajo, transmeton gazeta kroate “Jutarnji list”.