Kryeministri kanadez Justin Trudeau thotë se viktimat e avionit ukrainas të rrëzuar në Iran do të ishin ende gjallë, po te mos kishte ekzistuar përshkallëzimi I fundit i tensioneve, që pjesërisht, u nxit nga Amerika.
“Mendoj se po të mos kishte pasur tensione, po te mos kishte përshkallëzim të situatës në rajon, ata shtetasit kanadezë do të ishin në shtëpi tani, pranë familjeve të tyre”, tha Trudeau në një intervistë për televizionin Global.
“Komuniteti ndërkombëtar“, shtoi ai, “ka qenë shumë i qartë mbi nevojën që Irani të mos ketë armë bërthamore, dhe në të njëjtën kohë e dinte mirë se duheshin menaxhuar tensionet në rajon, të cilat janë acaruar edhe nga veprimet e SHBA-së”, ka shtuar Trudeau.
Boingu 737 i Ukraine International Airlines u qëllua nga një raketë iraniane pak pas ngritjes në ajër nga Teherani. Asnjë nga 176 personat në bord nuk I shpëtoi episodit fatal. Sipas llogarive të Otavës, 57 prej pasagjerëve ishin kanadezë, shumë prej tyre me origjinë iraniane.
Situata u përflak pas vrasjes së gjeneralit Kasem Sulejmani nga një sulm me dron i Shteteve të Bashkuara. Irani u përgjigj duke lëshuar me dhjetëra raketa mbi dy baza amerikane në Irak, e disa orë pas kësaj, një njësi e Rojeve Revolucionare iraniane qëlloi, sic thuhet, aksidentalisht avionin e pasagjerëve, një veprim ky të cilin presidenti i vendit, Hasan Rouhani e përshkroi si “gabim njerëzor”.