Kryeministri sllovak nga Beogradi: S’do ta zhgënjejmë kurrë Serbinë për Kosovën

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka deklaruar se nuk do ta zhgënjejë kurrë Serbinë në lidhje me Kosovën, duke ripërsëritur kështu qëndrimin e shtetit sllovak sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

Në një konferencë të përbashkët për media me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Beograd, Fico theksoi se Sllovakia dhe Serbia mund të mbështeten te njëra-tjetra dhe se Sllovakia respekton integritetin territorial të Serbisë.

“Do të dëshiroja të theksoj qartë dhe pa asnjë hezitim se ne respektojmë integritetin territorial të Serbisë dhe, sa i përket Kosovës, nuk do t’ju zhgënjejmë kurrë. Për këtë çështje qëndrimi ynë është plotësisht i qartë, dhe mendoj se e kemi shprehur që prej kohësh, pavarësisht nëse jemi pjesë e qeverisë apo koalicionit qeveritar”, tha Fico, transmetojnë mediat serbe.

“Ky qëndrim është shpallur që nga krijimi i partisë politike, kryetar i së cilës jam unë”, shtoi.

Përveç kësaj, ai potencoi se Sllovakia dëshiron të kthejë trupat e saj ushtarake në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, “me qëllim të ofrimit të një pasqyre objektive të zhvillimeve”.

Sllovakia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, së bashku me Greqinë, Spanjën Qipron dhe Rumaninë, që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Sa i përket trupave ushtarake në kuadër të KFOR-it, Sllovakia kishte pasur deri në vitin 2010, por që ishin tërhequt, ndërsa tani kryeministri Fico ka shprehur interesimin për t’i kthyer sërish.