Kryepeshkopi Anastas Janullatos rrëfen se në Shqipëri është ndier i rrezikuar për jetën e tij. Në një intervistë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve kishtare, ai sjell në vëmendje episode nga bisedat me shoferin, teksa i përgjigjet pyetjes nëse ka qenë i kërcënuar gjatë qëndrimit në vendin tonë.
Po, shenjat i kemi akoma të dukshme. Më kujtohet shoferi im, Taqua i cili më thoshte se i kishin ofruar para që të më linte në një vend të shkretë. Pa ndihmën dhe forcën e Zotit, askush nuk mund të bëjë asnjë hap këtu.
Janullatos flet për një mision jo dhe aq të lehtë në Shqipëri për shkak të dyshimeve mbi figurën e tij. Këtë ai thotë se e vërteton edhe vonesa në dhënien e shtetësisë shqiptare.
Unë arrita të marr nënshtetësinë shqiptare vetëm para dy vitesh. Kjo nuk është e rastësishme. Kishte një shqetësim dhe një fobi të çuditshme përkundrejt meje. Pra këtu ndeshemi edhe me pranimin edhe me frikën, dyshimet dhe pasigurinë. Prandaj them që ajo çka kemi bërë këtu është dhjetëfish më e madhe, pasi nuk u bë në kushtet e një qetësie dhe lirshmërie, por u bë në një periudhë me stuhi, dëborë.