Në Morinë është acaruar situata nga pritja e gjatë dhe kthimet mbrapsht të qytetarëve. Dy shtetas shqiptarë 25-vjeçarë u shoqëruan nga policia kufitare e Prizrenit në dhomat e paraburgimit.
Me urdhër-ndalimi të Prokurorisë së Prizrenit ata do të qëndrojnë 48 orë në paraburgim, për të dalë para gjykatës me akuzën e kundërshtimit më forcë të policisë kosovare.
Shtetasit në fjalë kanë debatuar me policinë kufitare të Kosovës në lidhje me kërkesat dhe sqarimet për ndalimin në kufi, por policia e Kosovës ka bërë menjëherë shoqërimin e tyre.
Edhe pse Shqipëria lejon futjen e shtetasve kosovarë vetëm duke matur temperaturën, autoritetet e kufirit të Kosovës nuk lejojnë shtetasit shqiptarë të futen nëse nuk kanë certifikatën se janë negativë nga Covid në katër ditët e fundit, në të kundërt detyrohen të qëndrojnë në karantinë 7 ditë.