Ngjyrat dhe aroma brenda këtyre serave me luleshtrydhe, janë kambanë alarmi për kultivuesit e tyre.
Serat e familjes Mustafaraj në Portëz zënë një sipërfaqe prej 25 dynymë dhe vetëm për këtë vit investimi kap vlerën e 200 milionë lekëve të vjetra.
“Jemi të marrë fund”.
Kërcënimi i virusit famëkeq për këta fermerë në Portëz të Fierit vjen bashkë me rrënimin e investimit të një jete të tërë dhe urinë në prag.
“Ne mbajmë me bukë 7 familje dhe të gjithë këto familje nëse nuk arrijmë shitjen e këtij malli ne falimentojmë. Ky vit është më kritiku që ne kemi hasur. Vërtetë qeveria ka halle të tjera sepse jeta e njerëzve është parësore por edhe ne kemi hallet tona, nëse falimentojmë do vuajmë për bukën e gojës”.
Bllokimi i tregut erdhi pas kufizimeve të mjeteve të transportit në kufij. Vendet e rajonit me në krye Italinë si blerësit më të mëdhenj të luleshtrydheve brenda disa javëve shpallën karantinën për shkak të pandemisë.
“Nga momenti që i vjelim brenda 3 ditëve duhet të konsumohet, luleshtrydhja nuk duron nuk magazinohet në frigorifer”.
Klima me diell e rajonit të Fierit mbetet i vetmi aleat për qindra fermerë që kultivojnë luleshtrydhe. Qeveria megjithëse i nxiti, i la në baltë. Asnjë gërmë për bujqësinë nuk përmendet në planin mbështetës të ekonomisë për përballimin e pasojave të pandemisë.
“Shpresojmë që qeveria të na japë ndonjë ndihmë edhe ne”.
200 ha me sera luleshtrydhesh në Fier, Rroskovec dhe Mallakastër ndodhen në pikun e prodhimit. Me tregje të përfshira nga kaosi i pandemisë, qindra familje fermerësh janë drejt rrënimit të plotë.