Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur dyshime se ish-kandidati për kryetar të Komunës së Leposaviqit, Aleksandar Jabllanoviq, ka bojkotuar zgjedhjet për shkak të presionit të madh ose ofertës shumë luksoze.
Ai ka hedhur dyshime se Jabllanoviqi ka marrë një milion euro dhe dy banesa në Beograd për t’i bojkotuar zgjedhjet.
“E di që situata nuk është aspak e lehtë dhe të gjithë kemi frikë nga ngjarjet e mundshme të paparashikueshme në një të ardhme të afërt. E di edhe se gjatë tri javëve të fundit, jemi bërë lajm ndërkombëtar, duke u paraqitur një dritë jo shumë e mirë. Por, të fillojmë me radhë. Më vjen keq që u desh të mbajmë zgjedhje në katër komuna në veri me një pjesëmarrje kaq të ulët. Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, ne e shtymë ditën e zgjedhjeve për katër muaj, me shpresën se Lista Serbe do të merrte pjesë. Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse e pranojmë Aneksin e Ohrit, atëherë do të sigurojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet. Më 17 mars të këtij viti e zgjatëm edhe për pesë ditë afatin e regjistrimit. E gjithë kjo nuk solli gjë. Mendova të paktën që Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai u largua nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd. Ndoshta nuk është e vërtetë, por gjithsesi duhet të ketë pasur një presion shumë të madhe ose një ofertë shumë luksoze, që e detyroi Jabllanoviqin të thotë se nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë. Përfaqësuesit e Listës Serbe, e edhe Jabllanoviqi, kanë thënë çdo gjë për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranojë si kryetarë të ardhshëm komunash. Tashmë kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një kryetar i ri”, ka thënë Kurti në një videoadresim për serbët e Kosovës.