Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25 vjetorin e masakrës në fshatin Lybeniq të Pejës teksa ka bërë homazhe pranë lapidarit të 79 banorëve të vrarë të këtij fshati ka kërkuar sërish nga sistemi i drejtësisë që me urgjencë të trajtojnë rastet e luftës.
“Sistemi të drejtësisë nga këtu i bëj thirrje edhe një herë për adresim me urgjencë të rasteve të kryera gjatë luftës, sepse këto krime asnjëherë nuk janë vjetruar, por dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar. Në Policinë e Kosovës në të kaluarën krimet e luftës janë trajtuar në kuadër të hetimeve të krimeve të rënda”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, gjatë qeverisjes së tij janë bërë ndryshime në legjislacion në mënyrë që serbët të përballen me drejtësinë.
“Sepse këto krime, përveç se nuk falen, as nuk vjetrohen kurrë. E për t’u dokumentuar me saktësi të gjitha krimet kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për të cilën janë hapur, tashmë, 25 pozita të ekspertëve dhe zyrtarëve që do të punojnë”, ka thënë Kurti.
Në një pjesë të fjalimit të tij kreu i ekzekutivit kujtoi edhe krimet që ishin kryer në Lybeniq.
“Sipas skenarit të krimit, ushtarët serbë ndanë gratë fëmijët dhe të moshuarit, që i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty. Xhamia e Lybeniqit atë ditë u kthye në një vend krimi, ku ushtarët serbë shtinë me armë automatiku në mënyrë të përsëritur që askush të mos mbetej i gjallë”, tha Kurti.
Masakra e Lybeniqit, bënë pjesë në njërën ndër masakrat më të mëdhaja që kishte ndodhur në Kosovë gjatë viteve të 90-ta.
Në këtë masakër ishin vrarë dhe masakruar gjithsej 118 shqiptarë.
Në këtë fshat gjatë periudhës së luftës në Kosovë, përgjatë viteve 1998-1999, ndodhën gjithsej 3 masakra.
Masakra më e madhe ishte ajo e 1 prillit 1999, në të cilën nga forcat paramilitare serbe u vranë dhe u masakruan 59 persona të pafajshëm, të cilët bënin pjesë në popullsinë civile.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).
Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore. Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.