Pas një mosmarrëveshje në trafik një person është therrur me thikë mbrëmë në Podujevë, ku si pasojë e lëndimeve të marra ka vdekur.
Gazeta Insajderi mëson se viktima është Amir Zhegrova, 22 vjeçar nga fshati Sibofc, i kësaj komune.
Rasti u konfirmuar nga Policia e Kosovës përmes raportit 24 orës. Sipas tyre, viktima u ther për vdekje nga një person i panjohur për të, mbrëmjen e së hënës rreth orës 20:55, ku gjithçka dyshohet se nisi si pasojë e një mosmarrëveshje në trafik.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML, teksa rasti është duke u hetuar.
“VRASJE E RËNDË/Podujevë 12.09.2022-20:55. Lëndime të rënda trupore ka pësuar viktima mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje në trafik, është goditur me thikë nga një person i dyshuar mashkull i panjohur për të. Viktima është dërguar në tretman mjekësorë në QKUK, por nuk ka arritur t’iu mbijetoj lëndimeve të shkaktuara dhe ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raportin e PK-së.