Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit.
Nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, ka thënë se sipas rezultateve të kësaj partie nga ekipet në qendrat e votimit, ka një dallim ndaj VV-së si parti e dytë, por duke mos theksuar sa.
“Sipas rezultateve që kemi marrë nga qendrat e votimit, jemi fitues të zgjedhjeve. Parti e parë në mbështetje të qytetarëve dhe jemi të lumtur që si bllok opozitare kemi shënuar rezultat të thellë. Kemi një përparësi, një udhëheqje ndaj VV-së si parti e dytë. Presim deri në 21:30 të shohim dallimin”, ka thënë ai.
Para LDK-së, edhe PDK-ja ka shpallur veten fituese, ndërsa Vetëvendosje teksa ka thënë se sipas rezultateve të veta është fituese, ka shtuar se po pret rezultatet zyrtare.
Për koalicionet e mundshme paszgjedhore, Haziri ka refuzuar të flasë për ndonjë parti të caktuar teksa ka theksuar se “me atë që kemi thënë jo, mbetet sigurisht jo”, duke iu referuar PDK-së.