Igor Braunoviq, deputet i Serbisë dhe njëri ndër aleatët qeveritarë të Aleksandar Vuçiqit është vazhdimisht i përfshirë në trazirat e Veriut të Kosovës. Ai ka gjetur edhe mbështetje politike në Serbi, duke u bërë kështu njeriu kryesor në politikën dhe rëndësinë e tij atje.
Të bëmat e Braunoviqit i kishte paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti qysh në vitin 2021.
Përveç barrikadave, Braunoviq tash është i përfshirë edhe ndryshe.
Ai ka një kohë që është paraqitur nëpër takime të ndryshme me simbolin rus “Z” të grupit Wagner.
Shqetësime për paraqitjen e deputetit serb ka paraqitur edhe eksperti i sigurisë Agim Musliu.
Sipas tij Igor Braunoviq lë të dëshmohet se përfshirja pro-ruse nuk është vetëm përmes grupit Wagner.
“Deputet i Serbisë, pjesë e socialisteve, aleati qeveritar i Vuçiqit, me simbolin rus dhe nazist “Z”, është vazhdimisht i përfshirë në trazirat në veri të Kosovës, në barrikada. Përfshirja pro-ruse nuk është vetëm përmes Ëagner”, ka shkruar ai në Twitter.
Përfshirjen e të njëjtit nëpër trazirat e Veriut, e ka paraqitur edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Në një status të vitit 2021, në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpijnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak po marrin pjesë individë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste. Në vijim janë dhënë përshkrimet dhe fotografitë e dy prej tyre.
Kurti ka përmendur emrat e njerëzve që janë të përfshirë në bllokadat e trazirat në Veri.
Kurti ka përmendur edhe emrin e Igor Braunoviqit.
“Igor Braunoviq, drejtor i përgjithshëm i “Srbijašume”, lavdërohet publikisht nga zëvendësi i tij Bratislav Dikić për pjesëmarrje në bllokadën në Jarinje. Dikić është general në pension e dikur ishte kreu i xhandarmerisë serbe që ka qenë i arrestuar si i përfshirë në tentimin për grusht shtet në Mal të Zi në vitin 2016. Dikić është i afërt me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Dačić. Për më tepër, Dikić ka qenë i involvuar në thyerjen e kutive të votimit në komunën veriore të Mitrovicës në zgjedhjet lokale 2013, si dhe në heqjen e përmendores së UÇPMB-së në Preshevë po ashtu në vitin 2013. Së fundmi, pushteti e ka shpërblyer atë me pozitën e ndihmës drejtorit të ndërmarrjes publike “Srbijašume”. Pra, ai ka dalë hapur në rrjetet sociale në përkrahje të barrikadave dhe si përfaqësues në këto barrikada e ka dërguar me datë 22 shtator 2021 pikërisht Igor Braunović, drejtorin e përgjithshëm të NP “Srbijašume”. Ai nuk ka ardhur vet personalisht në barrikada meqë është figurë e komprometuar si element rus gjatë tentimit për grusht shtet në Mal të Zi”, pati shkruar Kurti.
Për pjesëmarrjet dhe mbrojtjen e Igor Braunoviqit nga bota e politikës në Serbi, nëpër krime të ndryshme, ka shkruar edhe portali serbIstinomer.
Sipas këtij portali, në nëntor 2021, KRIK njoftoi se ish-shefi i policisë dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Dijana Hrkaloviç, Dejan Milenković, dyshohet se ka urdhëruar shkatërrimin e regjistrimit të bisedës së përgjuar mes Braunović-it dhe babait të ministrit, Nebojsha Stefanović.
“Prokurori pretendon se për këtë shkak hetimi kundër Braunoviqit nuk ka përfunduar kurrë dhe detajet e kësaj procedure zbulojnë se si policia heq provat nga hetimet në të cilat shfaqen politikanë kryesorë ose anëtarë të familjeve të tyre”, thuhet në tekst.
“Në fund të majit 2018, oficerja e policisë Marijana Tasiq shkoi në një mision të fshehtë në kuadër të operacionit “Kroshe”. Drejtori i ndërmarrjes publike “Srbijašume” Igor Braunoviq ishte nën hetim për korrupsion dhe kishte një takim në qendër të Beogradit në restorantin “Maksim”. (…) Igor Braunoviq është ende njeriu i parë i ‘Srbijašum’. Ai ka një post të rëndësishëm në Partinë Socialiste të Serbisë (SPS) – është anëtar i bordit ekzekutiv dhe kryesor të kësaj partie, por edhe koordinator i tyre për rrethin e Zlatiborit. Përveç kësaj, ai është edhe ish-dhëndri i njeriut të parë të SPS-së dhe kryetarit të Kuvendit, Ivica Daçiq. Braunoviq nuk u akuzua për rastin për të cilin po ndiqej.” (KRIK, 25 nëntor 2021)
Biografia e Igor Braunoviq dhe themelimi i shoqatës së dyshimtë
Siç thotë ai në biografinë e tij zyrtare, titullin e menaxherit master e ka marrë në vitin 2012 në Fakultetin e Menaxhimit Industrial të Union University në Beograd.
Ai është anëtar i Bordit Kryesor të Partisë Socialiste të Serbisë dhe koordinator i SPS për rrethin e Zlatiborit.
Është themelues dhe kryetar i Shoqatës së Dashamirëve të Natyrës “Drini ynë”.
Në shkurt të vitit 2022, Braunović njoftoi se “Drini ynë” do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në prill 2022, “Drini jonë” mbështeti Partinë Socialiste të Serbisë.
“Shoqata ka marrë vendim që të përfshihet në jetën politike dhe të mbështesë Partinë Socialiste të Serbisë dhe Ivica Daçiqin në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit 2022. Kryetari i shoqatës ‘Drini ynë’ është kandidat për deputet në këtë listë me numrin 21”.
Braunoviq u zgjodh deputet i Kuvendit të Serbisë dhe është anëtar i Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme, Komisionit për Kosovë dhe Komisionit për diasporë dhe serb në rajon. Ai u përmend në media si kandidat për ministër të Bujqësisë.