Disa ditë pasi disa serbë lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës, barrikadat u vizituan nga një shtetas serb i dënuar për pjesëmarrje në forcat ruse gjatë luftës në Ukrainë në vitin 2015.
Nikolla Joviq, i cili u dënua nga Gjykata e Lartë për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë, veprim që ligji serb e dënon, ka publikuar në Facebook fotografi nga fshati Rudar i Zveçanit.
Në këtë vend, kamionët e disa serbëve lokalë janë përdorur për ta bllokuar rrugën që disa ditë, në shenjë pakënaqësie pas arrestimit të bashkëkombësit të tyre dhe ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Pantiq u arrestua më 10 dhjetor, pasi që autoritetet e Kosovës dyshojnë se ai mori pjesë në sulmin ndaj zyrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.
Joviqi ka thënë se shkoi në veri të Kosovës si gazetar i medias shtetërore ruse Russia Today (RT). Në fotot e tij të publikuara më 13 dhjetor shihet një veturë e Misionit të NATO-s në Kosovës, KFOR-it, flamuri i Serbisë në oborrin e një shtëpie, si dhe një tendë e ngritur nga disa banorë lokalë në fshatin Rudar.
Joviq e ka publikuar edhe një fotografi të veten në Mitrovicën e Veriut në Kosovë.
“Në barrikada. Gjithmonë me njerëzit e mi”, ka shkruar Joviqi përkrah fotove të publikuara.
Në njërën nga fotot e Joviqit, në Kosovë shihet edhe simboli i pushtimit ushtarak rus të Ukrainës “Z”.
Ai gjithashtu ka postuar në Facebook se si raporton nga Kosova, si korrespondent i kanalit shtetëror rus Russia Today (RT). RT filloi transmetimin online në gjuhën serbe më 15 nëntor me mesazhin “Kosova është Serbi”. RT-së, si një media e kontrolluar nga Kremlini dhe e financuar nga buxheti i shtetit, i ndalohet transmetimi në Bashkimin Evropian që nga marsi i vitit 2022. Ky medium është cilësuar si mjet kyç për përhapjen e propagandës ruse dhe është bërë cak i një pakove të sanksioneve ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.
Policia e Kosovës s’i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë nëse Joviqit i është lejuar të hyjë në Kosovë.
Më 13 dhjetor, Joviq e pati përcjellë mesazhin në Facebook se është e rëndësishme që “të jemi atje me vëllezërit tanë” me simbolin e flamurit serb, si dhe se do të jetë “i sigurt edhe për disa ditë në Kosovë”.
Në një postim tjetër të datës 11 dhjetor, Joviqi pati njoftuar për punësimin e tij në kanalin shtetëror rus RT, në të cilin flet në anglisht për situatën në Kosovë.
Në reportazhin e tij për RT-në, ai i përshkruan ngjarjet në veri të Kosovës si “provokim” të shqiptarëve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas tij po mundohet t’ia imponojë vullnetin e tij serbëve të Kosovës.
Në një postim në Facebook, ai pati thënë se po përdor “pozitën e tij si korrespondent i shërbimit ndërkombëtar RT” për të informuar “opinionin botëror për situatën në krahinën tonë jugore dhe për terrorin e vazhdueshëm ndaj serbëve” në Kosovë.
Joviq në shtatori pati bërë të ditur në rrjete sociale se ka udhëtuar drejt Donjetskut e Luhanskut në Ukrainën lindore, duke publikuar foto me disa ushtarë në uniformë. Më pas ai deklaroi se kishte udhëtuar si gazetar.
Joviqi u prezantua në të njëjtin rol në shtator në një forum në “Shtëpinë Ruse”, qendrën ruse për shkencë dhe kulturë në Beograd, ku foli për Ukrainën.
Megjithatë, Joviqi më parë nuk kishte shkuar në Ukrainë si gazetar, por si pjesëmarrës në luftë.
REL-i ka siguruar vendimin e Gjykatës së Lartë në Beograd, në të cilin, ndër të tjera, thuhet se në mars të vitit 2015, Joviq iu bashkua formacionit paraushtarak të “Brigadës së Shtatë” të “Republikës Popullore të Donjetskut” në lindje të Ukrainës.
“Brigada e Shtatë” është një formacion prorus që është në anën e separatistëve.
Në aktgjykim thuhet se Joviq kishte përdorur një pushkë automatike dhe se u largua nga Ukraina në prill të njëjtit vit. Joviq u deklarua fajtor në gjykatë. Ai u dënua me një vit burgim me kusht, sepse pjesëmarrja në luftë në një fushëbetejë të huaj në Serbi është vepër penale.
Joviqi më parë kishte thënë se të qenit luftëtar në luftën në Ukrainë nuk përbën pengesë për punën e tij gazetareske.
Sipas vlerësimeve të Ambasadës së Ukrainës në Serbi, më shumë se 300 qytetarë janë larguar nga Serbia nga dhjetori i vitit 2018 për të luftuar në anën proruse.
Për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë në periudhën 2015-2018, në Serbi janë shqiptuar 32 dënime. Në 28 raste gjykata i ka dënuar të pandehurit me burgim me kusht, ndërsa katër persona janë dënuar me arrest shtëpie për gjashtë muaj.
Më 11 dhjetor, Joviq publikoi në Facebook një ftesë për pjesëmarrje në një protestë të krahut të djathtë që u organizua para kishës së Shën Savës në Beograd më 12 dhjetor, në mbështetje të serbëve në Kosovë. Organizatorët e këtij tubimi ishin të maskuar dhe nuk deshën të zbulojnë identitetin e tyre.
Video nga kjo protestë janë shpërndarë në Telegram nga grupi paraushtarak rus “Vagner”, të cilin Bashkimi Evropian (BE) e ka futur në listën e sanksioneve. Kjo njësi, sipas mediave, përbëhet nga mercenarë të stërvitur, të gatshëm për të marrë pjesë në luftëra në mbarë botën. Qeveritë perëndimore akuzojnë Moskën për përdorim të grupit “Vagner” si forcë paraushtarake në konfliktet në Ukrainë, Libi, Siri, Sudan, Mozambik dhe Republikë të Afrikës Qendrore. Kjo njësi mban rol aktiv në ushtrinë ruse edhe pas nisjes së luftës të Ukrainës.
Në kanalin në Telegram, ata raportojnë nga afër edhe për krizën në veri të Kosovës, ku kamionët dhe autobusët po bllokojnë rrugët, duke penguar qarkullimin drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjen dhe Bërnjakun.
Këto barrikada u ngritën pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiq, por tensionet në Kosovë nisën më herët, në fillim të nëntorit, kur gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ serb në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës. Më 15 dhjetor, autoritetet në Serbi kërkuan nga KFOR-i kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, bazuar në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për REL-in më 13 dhjetor se ai kategorikisht e refuzon këtë kërkesë./REL