Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci në një intervistë për The Geopost, ka thënë se Kosova po përballet me një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare, duke shtuar se 48 bazat e përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë një kërcënim i vazhdueshëm për vendin.
“Janë diku prej 300 metra deri në 5 kilometra nga vija kufitare e Kosovës dhe janë të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë. Përveç këtyre 48 bazave, është për t’u theksuar edhe fakti që 3 nga 4 brigadat e ushtrisë serbe janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe ato të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë”, tha Maqedonci.
Ai ka theksuar se shumica e kapaciteteve luftarake, duke përfshirë edhe kapacitetet që janë blerë nga Kina dhe Rusia janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe kjo sipas tij, nuk paraqet kërcënim vetëm për Kosovën, por për të gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimorë dhe për vendet tjera që kufizohen me Republikën e Kosovës.
“Serbia kundër Kosovës është duke zbatuar taktika dhe formate të ndryshme të luftës, mes tyre janë edhe kërcënimet hibride, pra, përmes sulmeve hibride që nënkupton angazhimi i forcave konvencionale në bashkëpunim me forcat jokonvencionale kundër Kosovës, në këtë rast, informacioni është një ndër elementet, propaganda, mund të themi është një ndër elementet që Serbia është duke shfrytëzuar ndër vite për të rrezikuar, për të cenuar stabilitetin në vendin tonë, por gjithashtu për të influencuar dhe për të mbajtur nën kontroll qytetarët serbë të Kosovës”.
“Është për t’u theksuar që një ndër pikat kryesore të shërbimit sekret rus për të destabilizuar një vend, pra, për të gjunjëzuar një shtet është informacioni, dhe informacioni gjithmonë synon krijimin e një depresioni kolektiv, depresion ky që vërehet edhe në vendin tonë dhe që unë vlerësoj që ka bazament strukturat e inteligjencës të Serbisë të mbështetura edhe nga strukturat e inteligjencës së Rusisë”, shtoi ai.
Maqedonci ka theksuar se partneriteti për paqe nuk është hap i kërkuar dhe i domosdoshëm për t’u pranuar në NATO, derisa ka shtuar se “është një hap i ndarë nga anëtarësimi në NATO”.
“Vendi ynë është duke ndërtuar kapacitetet mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s. Ne, në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës kemi një ekip të NATO-s i cili është ekip i dedikuar për këshillim dhe mbështetje të zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë. E gjithë doktrina që e kemi ndërtuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë planifikimi që zhvillohet në Ministrinë e Mbrojtjes është në përputhje me standardet e NATO-s”.
“Vendimi për të qenë pjesë e NATO-s, por edhe partneritetit për paqe është vendim politik i anëtarëve të NATO-s, dhe fatkeqësisht ende kemi vende që hezitojnë të njohin pavarësinë e vendit tonë dhe rrjedhimisht hezitojnë ta pranojnë Kosovën, megjithatë, kemi pasur përafrim kohëve të fundit”.