Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka uruar 111-vjetorin e ushtrisë shqiptare.
Maqedonci ka shkruar se Forcat e Armatosura të Shqipërisë, janë partneri më i natyrshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Po ashtu, Maqedonci ka përmendur përfshirjen e ushtrisë shqiptare në luftën e Kosovës më 1999, teksa e ka quajtur kapitull të lavdishëm të tyre.
“Më 2008, Forcat e Armatosura të Shqipërisë u anëtarësuan në NATO duke e rreshtuar Shqipërinë në mesin e vendeve aleate të Perëndimit. Sot, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë partnerja më e natyrshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, meqë të dyja këto forca ushtarake, mbrojnë hapësirën e jetesës dhe sigurinë në regjion. 4 dhjetori i vitit 1912 është data e themelimit të ushtrisë së Shqipërisë! Fillimisht për këtë detyrë u propozua Isa Boletini, i cili ndonëse e refuzoi atë, i vuri në dispozicion trupat e tij, rreth 300 vullnetarë nga Kosova, që u bënë bërthamë mbi të cilën u themelua ushtria shqiptare. Isa Boletini vazhdoi t’i shërbente ngritjes së ushtrisë shqiptare edhe gjatë misionit holandez në kohën e Princit Wilhelm Wied, kur Mbretëresha e Holandës Wilhelmina, dërgoi dhjetëra oficerë holandezë për të ndihmuar në ngritjen e ushtrisë shqiptare. Një kapitull shumë i lavdishëm i forcave ushtarake të shtetit shqiptar, është përfshirja e ushtarakëve të saj në luftën e Kosovës më 1999, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo duke ndihmuar me trajnime dhe armë”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Njëherit, ministri i mbrojtjes ka shprehur rastin ta urojë edhe homologun tij, Ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë, Niko Pleshi si dhe të gjithë pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
“Bashkë jemi më të fuqishëm dhe bëhemi të pathyeshëm!”, e ka përmbyllur Maqedonci.
Kujtojmë se Forcat e Armatosura të Shqipërisë sot shënojnë 111- vjetorin e themelimit.