Një francez i moshuar ka mbijetuar 16 orë në det duke përdorur një flluskë ajri brenda varkës së tij të përmbysur. 62-vjeçari u shpëtua nga ujërat e akullta të Oqeanit Atlantik nga rojet bregdetare spanjolle, të cilët e konsideruan këtë veprim në kufijtë e së pamundurës.
Roja bregdetare e Spanjës gjeti varkën me vela 12 metra të përmbysur, pas marrjes së sinjalit në mbrëmjen e të hënës vonë. Megjithatë, marinarit iu desh të priste deri në mëngjes për të shpëtuar, sepse deti ishte shumë i trazuar.
Varka, e quajtur Jeanne Solo Sailor, dërgoi thirrjen për ndihmë 22 kilometra larg ishujve Sisargas pranë rajonit veriperëndimor të Galicisë të Spanjës.
Ai ishte nisur një ditë më parë nga kryeqyteti portugez, Lisbona.
Tre helikopterë dhe një anije shpëtimi u përpoqën për ta shpëtuar atë, pasi morën sinjalin e fatkeqësisë në orën 20:23 me orën lokale. Një nga helikopterët zbuloi varkën e përmbysur, ndërsa dielli po perëndonte dhe dërgoi një zhytës për të kontrolluar për shenja jete.
Francezi goditi pjesën e brendshme të anijes së tij për të njoftuar shpëtimtarët se ishte gjallë. Ai u gjet i veshur me një kostum mbijetese neopreni dhe i zhytur në ujë deri në gjunjë.
Deti në këtë pikë ishte shumë i trazuar për të tentuar shpëtimin dhe dukshmëria ishte bërë e dobët.
Anëtarët e rojes bregdetare i bashkangjitën anijes tullumbace lëvizëse për ta ndaluar atë të zhytej në ujërat e ngrirë dhe pritën deri në mëngjes.
Dy zhytës notuan nën varkë për të ndihmuar në lirimin e marinarit të nesërmen.
Sipas mediave spanjolle 62-vjeçari më pas u hodh në ujë dhe notoi nën varkë për të arritur te shpëtimtarët e tij.
Zhytësit në rojet bregdetare e përshkruan operacionin si “të pamundur”.
Ai u transportua me helikopter në një vend të sigurt dhe u dërgua në spital për kontrolle dhe u lirua menjëherë më pas pa asnjë problem.