Kryepolici i Beogradit, Veselin Miliç, tha të mërkurën në mbrëmje se djali që qëlloi në shkollën fillore “Vladimir Ribnikar” në lagjen Vraçar të Beogradit, Kosta Keçmanoviç, i tha policisë se ai ishte një “psikopat që duhet të qetësohet”.
Miliç tha për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) se djali është dërguar “në një objekt shëndetësor për trajtimin e të miturve, me praninë e punëtorëve nga Qendra për Punë Sociale”, transmeton Tanjug.
Nga të shtënat në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” mëngjesin e djeshëm kanë mbetur të vrarë tetë fëmijë dhe një punonjës i sigurimit.
Gjashtë fëmijë dhe një mësuese u plagosën.
“Në një bisedë në prani të Qendrës për Punë Sociale, K.K. deklaroi se ai ishte injoruar nga shoqëria në të cilën ishte, se përmes jetës shoqërore ai ishte i përjashtuar nga komunikimi dhe loja në pushime apo ekskursione, dhe se kjo e bëri atë ta bënte atë përmes mendimeve dhe veprimeve të tij”, tha Miliç.
Ai më herët ka konfirmuar se “K.K. kishte një listë të fëmijëve që planifikonte të likuidonte”.
“Ai bëri një plan për hyrjen dhe daljen nga shkolla dhe përcaktoi objektivat prioritare. Ai kishte numrat se kë do të likuidonte nga cila klasë”.
“Kjo është planifikuar për një muaj. K.K. e kishte planifikuar prej kohësh, nuk e bëri të ditur motivin. Ai e mori armën e zjarrit nga banesa e babait të tij dhe e solli me katër kokteje molotovi”, ka shtuar Miliç.
Prokuroria e lartë publike në Beograd njoftoi më herët se nxnësi vrasës nuk është penalisht përgjegjës.
“Sipas Ligjit për të miturit kundërvajtës dhe mbrojtjen juridike penale të të miturve, K.K. është penalisht i papërgjegjshëm, sepse nuk ka mbushur moshën 14 vjeç”, thuhet në deklaratë.
Qeveria e Serbisë ka vendosur tre ditë zie, duke filluar nga e premtja deri të dielën.