Mbyllet menjëherë ETC-ja në Mitrovicë pasi një punëtore rezultoi pozitive me Coronavirus

Komuna e Mitrovicës sonte i është shtuar hartës së komunave të prekura me koronavirus, pasi aty sonte është konfirmuar rasti i parë.

Bëhet fjalë për një 27 vjeçare e cila kishte punuar në ETC, shkruan Reporteri.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri ka konfirmuar se ky supermarket është mbyllur menjëherë, kjo në kuadër të masave parandaluese për përhapjen e infeksionit.

Njoftimi i plotë:

Edhe pas gjithë përpjekjeve që kemi bërë për marrjen e masave mbrojtëse nga koronavirusi COVID-19 dhe kujdesit të treguar për të cilin ju falënderoj përzemërsisht, sonte është konfirmuar rastin i parë pozitiv nga Mitrovica.

E infektuara është një 27 vjeçare me banim në lagjen Iliridë, e cila është punëtore e supermarketit ETC. Gjendja e saj është e mirë, ani pse po trajtohet sipas protokolleve mjekësore të parapara në ShSKUK.

Pas konsultimit me anëtarët e Shtabit Emergjent kemi marrë vendim për mbylljen e përkohëshme të ETC-së, ndërsa gjithë punëtorët e kësaj qendre tregtare dhe personat që kanë pasur kontakt me të infektuaren do të testohen IKShP-ja.

Edhe pse ky nuk është një lajm i mirë, ne nuk kemi nevojë për panik, sepse jemi komuna shembull për menaxhim të pandemisë së koronavirusit COVID-19.

Kërkesa ime për juve është e njëjtë sonte, pra t’i zbatoni me përpikëri udhëzimet e institucioneve qendrore të shëndetësisë për mbrojtje nga ky virus.

Me respekt,

AB