Lirimi nga Gjykata Themelore e Prishtinës e ish-policit serb Dejan Pantiç i akuzuar për terrorizëm, për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak, i ka befasuar edhe avokatët, meqë sipas tyre për veprën që akuzohet Pantiç qëndrimi në paraburgim është i domosdoshëm, pasi i dyshuari mund t’u u ikë organeve të rendit.
Avokati Mentor Beqiri, thotë për Albanian Post se Ligji nuk e parasheh lirimin në arrest shtëpiak të personave që akuzohen për terrorizëm.
“Nuk mund të bëhet një koment i tillë pasi që ligji nuk parasheh lirimin në arrest shtëpiak bazuar në llojin e veprës penale, por bazuar në rrethanat e rrezikut për ikje, përsëritje të veprës penale, apo ndërhyrje në dëshmitar dhe prova”, tha Beqiri.
Ndërsa për avokatin Arbër Jashari, kur një prokuror bënë kërkese për zëvendësimin e një mase për sigurimin e të pandehurit në procedurë, me një masë me të lehtë, gjykata nuk ka kurrfarë mundësie të veproj ndryshe përveç se ta aprovojë kërkesën e prokurorit.
“Në asnjë rast, gjykata nuk mundet me vendos më rëndë se sa kërkon prokuroria. Ky është parim në drejtësinë penale”, tregon ai për AP.
Ndërkaq për lirimin e Pantiç-it për t’u mbrojtur në liri, thekson se në teori është e mundur duke qenë se paraburgimi është veç një mase për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë.
“Por, në praktik, rastet e tilla janë shumë të rralla”, shton ai.
“Ka mundësi që prokuroria, e ka ri-cilësuar veprën penale, në ndonjë vepër më të lehtë dhe kjo ka ndikuar në zbutjen e masës”.
Se lirimi në arrest shtëpie është i pakuptueshëm s’ka nevojë të jesh jurist.
Kryeministri i Kosovës është inxhinier i elektroteknikës, por me aq sa ka njohuri thotë se zbutja e masës për këtë rast është e çuditshme.
“Kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha Kurti gjatë një konference për media.