“Më pak viktima, po të kishim ndërhyrë më parë”, Trump “shkarkon” ekspertin e njohur në rrjetet sociale

Anthony Fauci është një nga autoritetet më të njohura në botë në fushën e imunologjisë, si dhe shef i Institutit amerikan për sëmundjet infektive. Ai del çdo ditë krahas presidentit amerikan Donald Trump si eksperti kryesor në luftën kundër pandemisë së koronavirusit në SHBA.

Por ditët e fundit marrëdhëniet e shkencëtarit me origjinë italiane dhe presidentit kanë arritur në pikën e tyre fundore, madje rrezikojnë të shkëputen definitivisht.

Kontrastet midis të dyve kanë nisur nga dëshira e Trump për të lehtësuar sa më shpejt vendin nga karantina, që sipas Faucit janë të parakohshme.


Gjithmonë i vëmendshëm që të mos kritikojë në mënyre direkte presidentin, Fauci dha një intervistë në CNN ku deklaroi se “mund të themi në mënyrë logjike se po të kishim pasur një proces më të hershëm të kufizimit të virusit, mund të kishin shpëtuar më shumë jetë”.

I pyetur për arsyet pse rekomandimet e autoriteteve mjekësore nuk u morën parasysh nga administrata amerikane më parë, ai shtoi se “ Ne e shikojmë nga ana shëndetësore, dhe bëjmë rekomandime. Disa herë këto merren parasysh, disa herë jo. Kjo është situata”.

Lexo edhe:
SHBA kalon viktimat e Italisë, për herë të parë shpallet gjendja e emergjencës në 50 shtetet e saj
Fjalë këto që me siguri nuk i kanë pëlqyer Trump, i cili u përgjigj në mënyrën më të shpejtë që ai njeh, me postimet në Twitter, ku ai mbështeti një postim i një ish-kandidate për Kongresin, që kritikonte Faucin dhe shpresonte që presidenti ta shkarkonte nga detyra.

Trump shtoi në postim, duke iu përgjigjur ekspertit, “Lajm i rremë, unë isha ai që bllokoi Kinën shumë para se njerëzit të fillonin të flisnin”.

Aktualisht në SHBA janë infektuar më shumëse 560 mijë persona, ndërkohë që kanë ndërruar jetë më shumë se 22 mijë.