Nezir Rexhepi thotë se rreth 30 metra afër shtëpisë së tij në Prizren, teksa po shkonte në punë, u kacafyt me asamblistin e Partisë Demokratike të Kosovës, Getoar Besimin.
Zyrtari i Prokurimit në Komunën e Prizrenit, në një bisedë telefonike me Insajderin, u shpreh se kacafytjen mes tij dhe Getoar Besimit e inicioi ky i fundit, i cili sipas tij, e fyeu atë rëndë para se të dilte nga vetura për ta konfrontuar fizikisht.
“Në orën 9:10 minuta, afër 30 metra afër shtëpisë time ka ndodhur rasti teksa kam qenë duke shkuar në punë. Ai ka dalë nga vetura dhe më ka shiku, e pyeta: ‘Çfarë ke?’”, rrëfen Rexhepi. “Më shau, më tha: ‘T’i q**** robt e shpisë’.”
Siç tregon zyrtari i tenderëve në Prizren, kacafytjen mes tij dhe asamblistit të PDK-së në Kuvendin Komunal e ndaluan persona që ndodheshin në afërsi të ngjarjes.
“Pastaj ka dalë nga vetura dhe kështu jemi kacafytur, por për fat kanë qenë disa persona tek një autolarje aty që na kanë ndarë”, tha Rexhepi.
Ai tha se nuk është në dijeni për një kallëzim penal që Getoar Besimi thotë se ka ngritur ndaj tij “para disa ditësh”, por shprehet se me asamblistin e PDK-së dhe familjen e tij njihet prej shumë kohësh. Thotë se ka qenë bashkëpunëtor i familjes së Besimit.
“Ne njihemi prej shumë kohësh me të, familjarisht, sepse njëfarë kohe unë kam punuar në firmën e tyre”, tregon Nezir Rexhepi.
Megjithatë, Rexhepi aludon se ngjarja ka ndodhur shkaku i një tenderi në të cilin është i përfshirë biznesi i familjes së Getoar Besimit.
Ai rrëfen se disa ditë më parë në zyrën e tij në Komunë kishte pranuar një kërcënim për kallëzim penal nga djali i vëllait të Getoar Besimit, i cili sipas Rexhepit kishte shkuar në zyrën e tij si përfaqësues i biznesit familjar, “G-Project”.
“Rasti ka qenë i djalit të vëllait të tij, i cili ka ardhur në mëngjes në Zyrën e Prokurimit dhe ka kërkuar qasje në dokumente. Pasi i kam dhënë unë qasje në dokumente, më ka thënë: ‘Keni me e pa, do të dorëzoj kallëzim penal ndaj jush’”, është shprehur Rexhepi.
Besimi: Unë jam viktimë e sulmit të Rexhepit
Një version ndryshe nga Nezir Rexhepi për përleshjen fizike e ka dhënë të mërkurën asamblisti i PDK-së, Getoar Besimi.
Besimi ka thënë se zyrtari i Zyrës së Prokurimit e ka sulmuar atë shkaku i një kallëzimi penal që familja e tij ka ngritur ndaj Nezir Rexhepit disa ditë më parë.
“Ju njoftoj se sot jam sulmuar fizikisht nga Zyrtari i Prokurimit të Komunës së Prizrenit z. Nezir Rexhepi, kundër të cilit ditë më parë është paraqitur një Kallëzim Penal për Keqpërdorim të Detyrës Zyrtare nga familjarët e mi”, ka deklaruar Besimi, përmes një shënimi në Facebook.
Besimi tha se nga sulmi, që sipas tij është iniciuar nga Rexhepi, ka pësuar lëndime të lehta trupore.
“Rasti ka ndodhur sot rreth orës 10:00, afër një parkingu. Për shkak të një padie që e kemi bërë për korrupsion, ai si shenjë hakmarrjeje më është ofru me ka ofenduar dhe jemi kacafyt”, është shprehur zyrtari i PDK-së nga Prizreni.
Ndërkaq, pretendimet e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukës, se viktimë e sulmit ka qenë zyrtari i tenderëve, Nezir Rexhepi, Besimi i ka cilësuar “të pavërteta dhe për keqardhje”.
“Është për keqardhje se si Kryetari i Komunës pa pasur asnjë raport zyrtar, jep konstatime të pavërteta se gjoja unë kam sulmuar zyrtarin e prokurimit për çështje që lidhen me tenderët e kësaj komune”, ka deklaruar Besimi, i cili ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj kreut të Komunës së Prizrenit.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar sot përleshjen fizike ndërmjet Besimit dhe Rexhepit.
Ndonëse kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka pretendoi se zyrtari Rexhepi është sulmuar nga asamblisti i PDK-së, Policia ka thënë se të dy personat janë të dyshimtë lidhur me rastin.
“Me inicimin e prokurorit, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt sepse të dy personat për momentin janë si të dyshimtë për involmim në këtë rast. Sipas informatave zyrtare, nuk ka të bëjë me çështje zyrtare ky rast”, ka thënë Shaban Osmanollaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Rajonin e Prizrenit.
Ai ka thënë se të dy personat “kanë sulmuar njëri-tjetrin dhe janë të lënduar shumë pak”.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, aludoi se arsyeja e sulmit mund të kenë qenë tenderët. Ai ka thënë se kompania e cila është në pronësi të familjes së Getoar Besimit, është në konkurrencë për të përfituar projekte nga Komuna e Prizrenit.