Katër shqiptarë u arrestuan në Spanjë, pasi kishin kultivuar 3 plantacione kanabisi, të mbjella në një sipërfaqe toke prej më shumë se 1 hektarë. Agjentët e policisë gjetën më shumë se dy tonë marijuanë në mesin e një parku, e cila nëse shitej në tregun e zi do të kapte vlerën e 11.3 milionë eurove.
Gjithashtu policia zbuloi të hapura edhe 120 gropa të tjera për plantacionin e radhës.
Katër shqiptarët kishin zhvilluar një sistem të sofistikuar të furnizimit me ujë përmes tubave nëntokësorë, ndërsa kishin edhe mekanizmat e duhura për tharjen e hashashit. Kampi përbëhej nga pesë tenda me sipërfaqe e përbashkët prej rreth 15 metrash katrorë ku kishte ushqim të bollshëm.
Specialistët e policisë, që dolën në konferencë për shtyp, thanë se shqiptarët ishin po aq specialist të kultivimit të kanabisit, sa janë kolumbianët për kokainën.