Shqipëria do të vijojë të jetë mbrojtësja më e mirë e interesave të Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike.
Konfirmimi vjen pas vizitës së ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës Anton Quni në Tiranë, i cili u prit nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
Ministrja Xhaçka e uroi homologun Quni për detyrën e re dhe e siguroi atë për mbështetjen e pakursyer të qeverisë shqiptare për vëllezërit nga Kosova, bashkëpunimin në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes, si dhe proceset integruese të Republikës së Kosovës, ishin disa prej temave të takimit mes dy delegacioneve.
“Dua të nënvizoj diçka që e kam thënë në çdo forum ndërkombëtar, diçka që kryeministri Rama e ka përsëritur në çdo rast që ka pasur dhe që është prej kohësh pozicioni zyrtar i Shqipërisë: Përpjekja për të stabilizuar e zhvilluar rajonin tonë, nuk mund të jetë kurrë e suksesshme pa integrimin e plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike. Duke filluar padyshim me anëtarësimin në NATO e duke vazhduar më pas me integrimin në Bashkimin Europian. Qoftë në rrafshin politik e diplomatik, qoftë në atë teknik ne do të jemi krah për krah vëllezërve tanë duke ndarë të gjithë eksperiencën e Shqipërisë me integrimin në NATO.”- u shpreh ministrja Xhaçka.
Nga ana e tij ministri Quni vlerësoi rolin e Shqipërisë në mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës duke e konsideruar vendin tonë si bashkëpunëtorin më të mirë.
“Ju jeni udhërrëfyesi ynë drejt integrimeve euroatlantike në rrafshin e sigurisë dhe në rrafshin ushtarak dhe me plot bindje e them se ne ju konsiderojmë si ambasadorin më të mirë që edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës nesër të jenë krah për krah me të gjitha ato forcat që zhvillojnë aktivitete të ndryshme për të ndihmuar të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë për siguri dhe për paqe. Unë nuk e di që ka ndonjë adresë më të mirë ku ne mund të kërkojmë bashkëpunimin se sa Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë.” – theksoi ministri Quni.
Me nismën e ministres Xhaçka, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës, do të hapin një kapitulli të ri dhe shumë intensiv bashkëpunimi në fushën e Mbrojtjes, i cili fillon me negocimin në një kohë sa më të shkurtër të një marrëveshjeje të re bazë mes dy dikastereve, që siç u shpreh ministrja Xhaçka, shpreson ta firmosë gjatë vizitës së ardhshme në Prishtinë.