Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn dhe e ka dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë.
Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë.
Aktgjykimi ndaj Alidemajt u shpall të premten nga gjykatësi, Vesel Ismaili, i cili tha se në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, të akuzuarit Alidemaj i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.
“Ndërsa, për pikën dy të dispozitivit të aktakuzës në pajtim me nenin 362, paragraf 1, nënparagrafi 1.1 të KPRK-së, gjykata merr aktgjykim refuzuesndaj të pandehuri”, tha gjykatësi Ismaili.
Në një arsyetim të shkurtër, gjykatësi tha se pas mbajtjes së shumë shqyrtimeve gjyqësore dhe administrimit të provave, përkatësisht dëgjimit të dëshmive të dëshmitarëve, është vërtetuar se i akuzuari Alidemaj ka qenë pjesë e forcave serbe dhe ka marrë pjesë në masakrën e Izbicës.
Në fund, gjykatës Ismaili tha se palët e pakënaqura ndaj këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pas pranimit së të tij.
Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Alidemaj obligohet që të paguajë të gjitha shpenzimet e procedurës penale dhe në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 200 euro dhe për fondin e kompensimit të viktimave shumën prej 100 euro, në afat ligjor prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike sipas aktgjykimit u udhëzuan në kontest të rregull juridiko-civil.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.
Ndërsa, aktakuza thotë se burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit. Pas dy muajve, thuhet se i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.
Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.