Në Kosovë të dielën më 29 gusht, arriti grupi i parë i qytetarëve afganëve, prej rreth 100 personash, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin. Ata u transportuan me një avion të forcave ajrore amerikane.
Për të pritur qytetarët afganë, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dolën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett.
Afganët që kanë arritur në Kosovë, sipas burimeve nga Presidenca e Kosovës, do të strehohen në bazën ushtarake “Bondsteel” që gjendet në Ferizaj.
Në aeroportin “Adem Jashari” po ashtu janë parë disa autobusë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të transportojnë afganët.
Qeveria e Kosovës ka thënë se do të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.
Kosova tashmë ka miratuar mbrojtjen e përkohshme për afganët që kanë punuar me forcat amerikane, me ato të NATO-s dhe për familjet e tyre. Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.
Në Shqipëri veçse kanë arritur afër 500 afganë që kanë ikur nga Kabuli. Shqipëria ka thënë se mund të strehojë deri në 4.000 afganë. Po ashtu, e gatshme për të strehuar afganë është shprehur edhe Maqedonia e Veriut, e cila po pret që të arrijnë afganët.