Zona e Dukagjinit është vërshuar nga reshjet e mëdha të shiut nga orët e vona të mëngjesit të së dielës. Në qytetin e Pejës dhe Istogut situata aktualisht raportohet nga banorët se është shumë më e rëndë ku tashmë sasia e ujit ka përfshirë shumë lagje.
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të cilat kanë nisur që nga dita e shtunë, në Zonën e Dukagjinit raportohet se gjatë ditës së diel janë shkaktuar përmbytje në disa qytete, ku edhe situata është përkeqësuar më shumë.
Në qytetin e Pejës dhe atë të Istogut situata duket të jetë pa më e rënduar siç shihet edhe në fotot dhe videot që shfaqin këto vërshime.
Në dy qytetet situata aktualisht raportohet edhe nga banorët se është shumë më e rëndë ku tashmë sasia e ujit ka përfshirë shumë lagje.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, të shtunën kishte dhënë “alarmin” për vërshime të mundshme në disa pjesë të Kosovës, si pasojë reshjeve që kanë filluar që nga dita e djeshme e po vazhdojnë edhe sot.
Sipas IHMK-së zonat më të rrezikuara nga vërshimet janë në Dukagjin në qytetet Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë e Rahovec.
Po ashtu, raportohet se qyteti i Pejës është në rrezik nga vërshimet si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në Lumbardh. Në rrjetet sociale po qarkullojnë edhe pamje tjera ku uji ka mbuluar disa sipërfaqe.
Situatë e rrezikshme nga vërshimet raportohet edhe në zonën e Grykës së Rugovës, ku është rritur niveli i ujit afër tunelit në Rugovë.
Ndërsa, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” , ka njoftuar se si shkak i reshjeve të dendura atmosferike Fushë Kosova mbetet pa furnizim me ujë duke filluar nga ora 10:00.
Sipas tyre, kjo situatë do zgjasë deri në përmirësimin e situatës me turbullirë.
Po ashtu, sipas tyre se kjo situatë e bën të pamundur trajtimin e ujit në Shkabaj, e në të njëjtën kohë çrregullime të furnizimit me ujë do të ketë edhe komuna e Drenasit.
Ndërkaq, kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se për shkak të reshjeve të mëdha të shiut ka ndërprerë furnizimin e rregullt më ujë të pijshëm në disa pjesë të qytetit.
Sipas kompanisë, është ndërprerë prodhimi i ujit në impiantin e Shipolit dhe Balincit.