Nebojsha Stefanoviq i reagon persidentes Osmani, përsërit frazën ireale serbe

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes Vjosa Osmani e cila tha se nëse ushtria serbe ia mësynë kufirit me Kosovën do të përballet me ushtarët amerikanë. Stefanoviq ka ripërsëritur frazën ireale serbe se “mes Kosovës dhe Serbisë s’ekziston vija kufitare”.

Stefanoviq për mediat serbe ka thënë se “s’ka asnjë kufi ndarës mes Serbisë dhe Kosovës”

“Vetëm një vijë administrative është me provincën tonë jugore, që ka dallim të madh”, ka thënë ai, transmeton Gazeta Express.

“Është e kuptueshme që po bëhet më e madhe, sepse ushtria serbe po forcohet dita ditës dhe do të vazhdojë të bëhet më e fortë. Kjo është arsyeja pse unë jam i sigurt që përfaqësuesit e institucioneve në Prishtinë do të respektojnë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Unë jam gjithashtu 100 për qind i sigurt se ata e dinë pse nuk lejohen dhe nuk mund të hyjnë në veri të Kosovës me forcë” tha Stefanoviq.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është intervistuar nga një media kroate, ku ka deklaruar se nëse ushtria serbe provon të kalojë kufirin me Kosovën do të përballen me ushtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Komandantja Supreme e FSK-së është pyetur nëse ka frikë nga konfliktet e armatosura tani kur ushtria serbe po armatoset, Osmani është përgjigjur se nuk e di se çfarë ka në mendje Serbia por që nëse provojnë të kalojnë kufirin me Kosovën ata do të takohen me ushtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Është e qartë se ushtria serbe e sheh Rusinë si aleatin e saj kryesor për sa i përket bashkëpunimit ushtarak, por edhe të politikës së asaj ekonomie. Ata e tregojnë atë hapur. Ndërsa vendet në rajon, të tilla si ne ose Kroacia, zhvilluan stërvitjen “Defender Europe 21” së bashku me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, Serbia organizoi stërvitje ushtarake me Rusinë në të njëjtën kohë. Ishte i vetmi vend në rajon që nuk ishte i pranishëm në stërvitjen “Defender Europe 21” të udhëhequr nga ShBA-ja. Kohët e fundit mund të shohim se si ata organizojnë stërvitje ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë, gjë që tregon orientimin e tyre. Nuk jam i sigurt se çfarë kanë në mendje kur bëhet fjalë për retorikën që ata përdorin, por di një gjë shumë mirë: nëse kalojnë kufirin me Kosovën ata do të takohen me ushtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s. Ne nuk jemi vetëm dhe Serbia e di mirë këtë! Ata u përpoqën ta bënin atë një herë në 1999. Nuk mendoj se ata do të dëshirojnë të provojnë përsëri”, ka thënë Osmani për express.hr.