“Nëse veç edhe 10 ditë vazhdon rezistenca në Kiev, Rusisë do t’i harxhohen paratë dhe armatimi”, thotë ish-komandanti i ushtrisë së Estonisë

Ish-komandati i ushtrisë estoneze Riho Terras ka thënë se tani presidenti rus Vladimir Putin nuk do të bëjë plane, sepse Rusisë po i mbarojnë me shpejtësi paratë dhe armët.

Sipas tij, Putin do të duhet të hyjë në negociata me qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky nëse Kievi u reziston rusëve për 10 ditë.

Siç raporton Daily Mail, dyshohet se Putin ka thirrur një takim me oligarkët në një bunker në malet Ural, në të cilin pretendohet se ai shprehu me furi se mendonte se lufta ndaj Ukrainës do të ishte “e lehtë” dhe “gjithçka do të bëhej brenda një deri në katër ditë”, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

Duke cituar burime të inteligjencës ukrainase, Terras pohoi se lufta po i kushton Rusisë rreth 15 miliardë paund në ditë dhe se ata kanë raketa për maksimumi tre deri në katër ditë, të cilat i përdorin me kursim.

Ai pretendoi se plani i Putinit është mbështetur për të bërë panik, duke gjuajtur raketa në ndërtesa banimi ‘rastësisht’ për të ‘frikësuar’ ukrainasit, për të shkaktuar dezertime masive të ushtrisë, dorëzimin kombëtar dhe ikjen e presidentit Zelenskit nga vendi.

Terras gjithashtu pretendoi se operacionet speciale ruse kanë qenë pranë Kievit që nga 18 shkurti dhe kishin planifikuar të kapnin me shpejtësi kryeqytetin dhe të instalonin një regjim kukull.

“Rusët janë të tronditur nga rezistenca e ashpër që kanë hasur. Ukrainasit duhet të shmangin panikun! … Ukraina duhet të qëndrojë e fortë dhe ne duhet të ofrojmë ndihmë!”, ka shkruar ai në Twitter.