Nga hyrja ilegalisht në Shqipëri, sulmi me lëndë kimike ndaj ushtarëve dhe dyshimet për spiunazh, zbardhet skema se si ndodhi ngjarja në uzinën e armëve në Gramsh

Një ngjarje e rëndë e paprecedentë u regjistrua mbrëmjen e djeshme në uzinën e armëve në Gramsh, ku dy rusë dhe një ukrainas tentuan që të hynin brenda godinës, ndërsa pasi u kapën nga ushtarët, sulmuan këta të fundit me lëndë kimike.

Këta shtetas rusë, që pretendonin se ishin turistë kanë hyrë në uzinën e Gramshit dhe ushtarakët që kanë qenë në ruajtje të kësaj qendre strategjike kanë dalë për t’i ndaluar. Ndërkohë, një prej tyre, Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe, qëndronte në makinën e tyre, ndërsa Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari me inicialet F.T., u futën në ambientet e uzinës, ku një prej tyre ishte veshur me rroba të zeza ushtarake.

BalkanWeb ashtu siç raportoi përgjatë mbrëmjes së djeshme, bëri me dije se ushtarët që u plagosën gjatë sulmit me spray neuroparalizues, janë Aldo Bici dhe Ardian Caka. Këta të fundit pasi morën ndihmën mjekësore në Gramsh, u nisën me urgjencë drejt spitalit në kryeqytet. Fatmirësisht ata paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore. Tashmë në prangat e policisë janë ndaluar 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva dhe 24-vjeçarin Mikhail Zorin, dhe 25-vjeçari.

Sipas dëshmitarëve okularë në vendin e ngjarjes, banorë të zonës ku ndodhet edhe uzina e armëve, thanë se tre personat mbanin harta dhe aparate fotografike me vete, ndërsa thuhet se kishin 3 ditë që i vinin vërdallë kësaj godine duke e studiuar e duke bërë foto. Ndërkohë, gazetari Çelmeta ka arritur të mësojë nga të afërmit e ushtarakëve të lënduar se dy rojet e uzinës ushtarake kanë bërë referim edhe dy ditë më parë në instancat përkatëse pasi kishin konstatuar nga larg shtetasit rusë. Duke iu referuar burimeve zyrtare tre personat në fjalë kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se aktualisht gjendja e ushtarëve të plagosur është stabël.

“Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë. Ende nuk është e qartë se kur ky automjet është futur në territorin e Shqipërisë, apo se kush është pronari i saj.

Autoritetet shqiptare përfshirë policinë, Ministrinë e Mbrojtjes, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Agjencinë e Antiterrorit janë përfshirë ne hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gazetari Igli Çelmeta raportoi se ka dyshime të forta nga ana e Antiterrorit që pajisja e gjetur në çantën e shtetasit rus Mikhail Zori nuk është aparat fotografik, por një pajisje spiunimi dhe se të arrestuarit janë agjentë të shërbimeve sekrete ruse.

Të shqetësuar për ngjarjen e paprecedentë, mësohet se autoritetet shqiptare kanë njoftuar Ambasadën e Rusisë në Tiranë, për të kërkuar informacion të thelluar për shtetasit rusë, që tentuan të hynin me forcë në perimetrin e ruajtur me roje ushtarake.

Ngjarja në fjalë solli reagimin jo vetëm të institucioneve, madje edhe të politikës, ku nuk munguan akuzat e ndërsjellta.

REAGIMI I RAMES
Kryeministri Edi Rama reagoi dje për ngjarjen e ndodhur në uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
“Shërim të shpejtë të lënduarve dhe tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!”, shkruan Rama në Twitter.
Ndër të tjera, kryeministri kritikon përdorimin politik të këtij sulmi ndaj ushtarakëve shqiptarë, për reagimin e të cilëve shprehet se ndihet krenar.

“Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël! Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh!”, shkruan ai.

REAGIMI I BERISHËS
Për ngjarjen reagoi edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha. Ai ka postuar në Facebook deklaratën zyrtare të Partisë Demokratike lidhur me ngjarjen e ndodhur në Gramsh. PD kërkon që t’u ndalohet menjëherë hyrja në territorin e Shqipërisë turistëve rusë dhe të rivendoset regjimi i vizave me Federatën Ruse.

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë:

‘Turistë’ zbulues rus sulmojnë si terrorist ushtarët në uzinën ushtarake të Gramshit.

Të dashur miq, Ministria e Mbrojtjes njofton se “Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh. Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë. Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.”
Mediat njoftojnë se rusët, në fakt agjentë zbulues, pasi kanë bërë dje gjatë ditës rikonjicion, janë futur sot pa vështirësi në mjediset e Uzinës ushtarake të Gramshit. Ushtarët roje të Uzinës kanë tentuar ndalimin e tyre, por rusët i kanë sulmuar me lëndë kimike djegës të natyrës së paqartë dy ushtarët roje dhe kanë krijuar plagë djegije.
Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt agresioni terrorist të zbuluesve rus ndaj rojeve të Uzinës Ushtarake të Gramshit, veprimtarinë e tyre subversive ndaj vendit tonë.
Partia Demokratike dënon edhe vlerësimin si incident nga Ministria e Mbrojtjes të këtij akti të mirëfilltë agresiv ndaj jetës së ushtarakëve tanë në detyrë dhe sovranitetit të vendit tonë.

Partia Demokratike ka dënuar me parë heqjen e vizave dhe pranimin në këtë kohë lufte të turistëve rus nga Edi Rama dhe qeveria e tij dhe sot kërkon rivendosjen e vizave për qytetarët e Rusisë dhe ndalimin e menjëhershëm të hyrjes në Shqipëri të turistëve nga Rusia.