Ngjela zbardh prapaskenat: Berisha mori një telefonatë para protestës, ja si u kërcënua nga amerikanët

Avokati i njohur, Spartak Ngjela deklaroi dje se ish-kryeministri Sali Berisha kishte sjell dy ditë më parë në Tiranë rreth 2,500 persona, me lloj-lloj marifetesh e gënjeshtrash.

Përmes një shkrimi në rrjetet sociale avokat Ngjela theksoi pjesëmarrja nuk ishte shumë e lartë, por mediat pranë PD “e nxorën miun si ujk”.

Sipas Ngjelës, në këtë protestë nuk pati trazira, sepse Berishën e kërcënoi personalisht politika e lartë amerikane. Jo vetëm kaq, por Ngjela paralajmëron se shumë shpejt Berisha do të përballet me drejtësinë.

“Saliu u kishte thënë shqiptarëve se në datën 7 korrik ai do të rrëzonte qeverinë aktuale me forcë. Por, çfarë ndodhi? Në fakt, si gjithmonë me Saliun: u mbars mali dhe polli një mi. Saliu me para, me lloj-lloj marifetesh e gënjeshtrash, solli në Tiranë nja 2500 persona. Por stacionet televizive të paguara nga ai, e nxirrnin miun si ujk. Hahahaha. Turp! Kurse ata që kishin ardhur për të shkatërruar Tiranën dhe kryeministrinë dhe të vidhnin dyqanet, ikën me bisht ndër shalë. Pse? Sepse Saliun e kërcënoi personalisht politika e lartë amerikane, e cila i tha atij: sutor, ad calceamenta inhaero! – këpucar, qëndro te këpuca! Dhe ai, gjithë frikë e datë, te këpucët qëndroi. Por çfarë ndodhi? Këpucari Sali kishte vetëm 2 orë leje për protestën, sepse po ta kalonte, protestuesit do t’i shpërndante me forcë policia dhe do të kishte arrestim të organizatorit. Këpucar qëndro te këpuca, mos u ngjit më lart! Ky ishte urdhri kërcënues amerikan. Dhe Sali mavria te këpuca qëndroi, por i trembur, që doli në tribunë duke klithur marrëzira, se ishte gjithë frikë dhe në shthurje mendore. Prandaj, për të larguar frikën, foli me marrëzitë e tij, duke tjerrur fjalë dhe sharje pa kuptim mendor”, shkruan avokati i njohur, Spartak Ngjela.