Shoferit të autobusit që dyshohet se e shkaktoi aksidentin në Slavonski Brod të Kroacisë i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj nga gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut në këtë vend.
“Gjyqtari urdhëroi paraburgimin për një muaj për shkak të mundësisë së arratisjes nga Republika e Kroacisë. Ai tani do të dërgohet në burg. Sot u mor vetëm vendimi për paraburgim, nuk u paraqitën dëshmi”, ka thënë Zëvendësprokurori i Shtetit të Qarkut Franjo Kopuniq.
Avokati mbrojtës i 52 vjeçarit, Igor Cishper, tha se klienti i tij në asnjë moment nuk e ka pranuar se e kishte zënë gjumi gjatë vozitjes, por tha se nuk mund ta bëjë publike deklaratën e të mbrojturit të tij, shkruan Index.hr, transmeton Klankosova.tv.
Shoferi i autobusit që u aksidentua në Slavonski Brod të Kroacisë gjatë ditës së djeshme është mbrojtur në heshtje gjatë marrjes në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit në Slavonski Brod.
Dyshohet se ky aksident tragjik është shkaktuar pasi shoferin e ka zënë gjumi për një moment dhe më pas autobusi ka dalë jashtë autostradës.
Shoferi mund të dënohet deri në 15 vjet burgim për veprën penale të ”shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në komunikacion”.
10 persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në aksidentin tragjik të autobusit i cili po vinte nga Gjermania për në Kosovë.