Të sfidosh veten është e vetmja mënyrë për secilin nga banorët e fshatit Van në bashkinë e Delvinës, që u duhet të dalin dhe të kthehen në banesat e tyre.
Tashmë, kalimi i lumit të Kalasë me një urë gjysmë të shembur, është kthyer në një rrezik për këta banorë.
“Është shumë e frikshme, por nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet të shkojmë në punë. Njeri nuk mendon”, shprehet një banore. “Lamë nam! Ka rënë katër herë ura dhe kanë ardhur e kanë bërë për 7 ditë. Nuk kanë mundësi as të sjellin një vinç e ta ngrenë. Të kalojmë në këmbë të paktën”, shprehet një tjetër.
“Ka gati një muaj kështu. Jemi ankuar shumë herë. Na thonë, nuk kemi fonde, s’e përballojmë dot”, shprehet një tjetër banor.
Përballë kësaj situate, drejtues të bashkisë së Delvinës nuk kanë pranuar të prononcohen përpara kamerës, por jashtë saj janë shprehur se nuk kanë asnjë mundësi financiare për të ndërhyrë vetë duke pritur financime nga institucionet e pushtetit qendror. E deri atëherë, banorët urojnë dhe shpresojnë që të mos kenë ngjarje aksidentale.
“Sakrificë e madhe. Do të hajë ndonjë kokë njeriu kjo. Këta tallen. Prit se erdhëm, prit se erdhëm”, thotë një banor i zonës.