Nuk ndalet eurodeputetja gjermane, i reagon edhe Petkoviqit – ja pse ia përmend vrasjen e Ivanoviqit

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se dëshiron që serbët e Kosovës të mbrohen, duke reaguar ndaj deklaratës së drejtorit të Zyrës për Kosovë Petar Petkoviq. Ky i fundit ka thënë se nëse von Cramon, do të kujdesej për serbët “ajo do të dënonte 110 sulme të motivuara etnikisht”.

Ajo ka shkruar në Twitter se dëshiron që serbët e Kosovës të mbrohen sa më shumë.

“Unë dua që serbët e Kosovës – në jug dhe veri të Ibrit – të mbrohen sa më shumë që të jetë e mundur. Për të shmangur një rast tjetër si të Oliver Ivanoviqit, i cili mbetet i pazgjidhur për shkak të mungesës së sundimit të ligjit ose një “dite të mjegullt” në veri”, tha ajo, përcjell Bota sot.


Petkoviq më herët ka reaguar ndaj deklaratës së von Cramon, e cila dje tha se KFOR-i është informuar për aksionin e policisë së Kosovës në veri të Kosovës më 13 tetor dhe se ishte e qartë “se nuk kishte dyshim se ishte e nevojshme”.

Gjatë ditës, von Cramon iu kundërpërgjigj edhe ambasadorit të Serbisë në SHBA Marko Gjuriq, i cili e quajti atë “dashnore” të Kurtit.