Partia Konservatore e kryeministrit britanik Boris Johnson ka fituar shumicën në zgjedhjet e mbajtura sot në Britani të Madhe, sipas exit-polleve.
Sipas këtyre rezultateve, konservatorët e Johnsonit do t’i marrin 368 ulëse, të mjaftueshme për një shumicë në parlamentin me 650 ulëse. Laburistët parashihej t’i fitonin 191 ulëse, Partia Nacionale Skoceze 55 ulëse dhe liberal-demokratët 13 ulëse.
Këto zgjedhje cilësoheshin “si më të rëndësishmet e brezit” për shkak të rolit të tyre në përcaktimin e kahut që merr procesi i largimit të këtij shteti nga Bashkimi Evropian.
Exit-pollet u bënë nga “BBC”, “ITV” dhe “Sky News”. Me këtë fitore, Johnsoni ka numrat e nevojshëm për të finalizuar Brexitin deri më 31 janar.
Rezultatet zyrtare do të publikohen përgjatë orëve në vijim.