Pas përgjigjes epike, Elon Musk i kërkon falje punëtorit të shkarkuar të Twitterit

Shefi ekzekutiv i rrjetit social, Twitter, Elon Musk, ka kërkuar falje pas përplasjes që pati në këtë platformë me një punonjës të Twitterit.

Gjithçka nisi kur Halli Thorleifsson pyeti Muskun se a e ka larguar nga puna apo jo, pasi kishin kaluar nëntë ditë që i ishte larguar qasja në kompani, e s’kishte marrë njoftim zyrtar. Musk e pyeti se “çfarë pune ka bërë”, ndërsa Thorleifsson iu përgjigj duke i thënë se “Shefi juaj i burimeve njerëzore s’është në gjendje ta konfirmojë nëse jam apo jo i punësuar”.

Pas përplasjes me Thorleifssonin, Musku fillimisht shkroi në Twitter se “ai është më i keqi”, para se ta fshinte. Por në një ndryshim të shpejtë qëndrimi, Musk i kërkoi falje dhe ia ofroi sërish vendin e punës Thorleifssonin.

“Dua t’i kërkoj falje Hallit për keqkuptimin rreth situatës. Ishte e bazuar në gjëra që më janë thënë se janë të pavërteta, apo në disa raste, të vërteta, por jo kuptimplote. Ai mund të konsiderojë qëndrimin në Twitter”, ka shkruar Musk.

Ndërkaq Thorleifsson më herët ka thënë për BBC-në se s’ka marrë përgjigje nga departamenti i burimeve njerëzore në Twitter nëse është shkarkuar apo jo.

“Qëndrimi im është që kanë bërë gabim dhe po shikojnë për çdo gjë që mund të gjejnë për të gjetur ‘arsyen’ për shkarkim, për të shmangur obligimet kontraktuale”, ka thënë ai.

Thorleifsson, që ia shiti Twitterit agjencinë e tij Ueno, më 2021, nuk ka pranuar të tregojë se sa paguhej, por ka spekulime se Twitteri do të duhet ta paguajë me shumë të majme për shkarkim.

Thorleifsson s’ka treguar nëse do të kthehet në Twitter.

Halli Thorleifsson, 45-vjeçar, ishte drejtor i dizajnimit të produkteve në Twitter. Ai tha se puna që bënte ishte e lodhshme dhe shumë stresuese.