Gjermania ka nisur të testojë javën e punës me 4 ditë, në një kohë kur vendi është duke u përballur me vështirësi për rimëkëmbjen ekonomike.
Këtë javë, disa kompani gjermane do t’u japin punonjësve të tyre një ditë pushim shtesë, ndërkohë që do t’u paguajnë atyre pagën e plotë.
Sindikatat kanë pohuar se të punuarit më pak do ta bënte stafin më produktiv, por edhe më të shëndetshëm dhe më të lumtur, gjë që pjesëmarrësit në këtë projekt pilot, shpresojnë që ta vërtetojnë.
Një javë pune 4-ditore gjithashtu mund të rezultojë në reduktimin e mungesave të kushtueshme të punëtorëve për shkak të stresit dhe sëmundjeve të ndryshme.
Testet e mëparshme në SHBA dhe në Kanada kanë treguar se ka përfitime në javën e punës 4 ditë pasi punonjësit raportuan se ndiheshin më mirë fizikisht dhe më pak të lodhur.