Videoja e rrahjes mes Dardan Molliqajt e Haki Abazit, menjëherë pas emisionit Pressing, është publikuar sot, e aty shihet se megjithatë Molliqaj e ka sulmuar fizikisht kandidatin e Vetëvendosjes për deputet, Haki Abazin, ndonëse kishte mohuar një akuzë të tillë publikisht.
Menjëherë pas pas emisionit Pressing Zgjedhor Haki Abazi e kishte akuzuar kandidatin për deputet nga koalicioni PSD – AAK, Dardan Molliqajn, se e ka sulmuar fizikisht bashkë me shoqëruesin e tij.
Molliqaj ka dalë me një status në Facebook ku kishte thënë se asgjë nuk kishte ndodhur.
“Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, kishte shkruar Molliqaj atë natë pas debatit në Pressing.
Por në pamjet e lëshuara sot shihet se ka qenë ndryshe. Ai së bashku me shoqëruesin e tij shihen duke e sulmuar Abazin i cili pas një kacafytje shihet duke ikur nga këta të dy.
E tëra kishte ndodhur pas një debati të zjarrtë mes Haki Abazit dhe Dardan Molliqajt në emisionin Pressing Zgjedhor, i cili ishte duke u mabjtur në ambientet e Universitetit AAB.
Në pamje shihet edhe zyrtari i PDK’së, Rexhep Hoti, i cili kishte mohuar se ka qenë i pranishëm.