Përmbytjet në Stamboll dhe shumë zona të tjera të Turqisë kanë shkaktuar dëme kolosale materiale, ndërsa si pasojë e vërshimit të ujërave të rrëmbyer, kanë humbur jetën disa persona.
Ndërsa shumë automjete janë marrë nga rryma e furishme e ujit, ka pasur edhe nga ata, të cilët kanë pasur ide gjeniale për t’i mbajtur ato në vend, në mënyrë që dëmet të mos rriten.
E tillë është situata në një restorant të Stambollit, ku pronarët e dy automjeteve luksoze, i kanë lidhur ato në një pemë, për të mos u përmbytur, njoftojnë mediat turke.
“Ne përjetuam një gjë të tmerrshme, djali dhe nipi im lidhën automjetet që të mos i merrte rryma. Kjo është një fatkeqësi natyrore. Gjithmonë pritet. Të njëjtën gjë e kemi përjetuar edhe në vitin 2019. Falë Zotit, klientët tanë i çuam në çati me një shkallë. Nuk kemi pasur viktima. Këto pemë penguan që ato automjete të tërhiqeshin zvarrë në liqen. Pastaj kemi thyer xhamat e përparmë. Kur u kullua uji nga ato dritare, automjetet mbetën në vendin e tyre.”
Pronari i njërës prej makinave Halit Yetkin
Veriperëndimi i Turqisë është përfshirë nga shira të rrëmbyer, me ekipet e emergjencave në gatishmëri prej 24 orësh, bashkë me ushtrinë. Dhjetëra fshatra janë mbuluar tashmë nga uji dhe balta, teksa helikopterët po shpëtojnë qytetarët nga çatitë e shtëpive.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, 2 viktima janë regjistruar deri tani, ndërsa 4 të tjerë janë raportuar të zhdukur. Situatë e vështirë edhe në Stamboll, ku nga përmbytjet janë dëmtuar shumë automjete, biznese dhe banesa.