Ministria e Mbrojtjes, ka publikuar disa fotografi ku shihen pilotët e FSK-së, të cilët kanë përfunduar me sukses të lartë programin e rifreskimit teorik dhe praktik të fluturimeve me helikopter në Bazën e Forcave Ajrore të Shqipërisë.
Në postimin e bërë në rrjetin social Facebook, kjo ministi ka shkruajtur se programin praktik pjestarët e FSK-së e kanë bërë, me helikopter të tipit AB-206.
“Ngritja e kapaciteteve ajrore e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, është nevojë për realizim të suksesshëm të operacioneve të përbashkëta ndërinstitucionale, si dhe atyre të përbashkëta në reagime për menaxhim krizash me forcat e Shqipërisë dhe forcat e vendeve tjera partnere rajonale mbi konceptin “Smart defense”. Në kohën kur jemi në proces të ngritjes së kapaciteteve ajrore, ky program është shumë i rëndësishëm për rigjenerim të shkathtësive operacionale të pilotëve tanë. Mirënjohje dhe vlerësim i lartë për mbështetjen nga vëllezërit e motrat tona të Forcave Ajrore të Republikës së Shqipërisë”, thuhet tutje në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Facebook.