Një qytetar në Ferizaj, me inicialet A.A (emri i njohur për redaksinë) është rrahur dje në Jezerc të Ferizajt nga katër persona, e njëri prej të cilëve ka qenë edhe pjesëtar i Njësisë Speciale Intervenuese – FIT. Megjithatë, përfshirja e tij në këtë kontest privat është mbajtur fshehtë në raportin 24 orësh dhe nuk është arrestuar.
Policia e Kosovës ka njoftuar se si pasojë e një mosmarrëveshje për pronë, dje në Ferizaj ka ndodhur një rrahje.
Për ketë rast janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj nën dyshimin se të njëjtit pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor e kanë sulmuar fizikisht një tjetër.
“Me urdhër të prokurorit rasti hetohet në procedurë të rregullt, palët janë liruar ndërsa janë njoftuar autoritetet kompetente”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Por, nuk përfundon me kaq rrëfimi. Të tre personat e arrestuar nuk janë të vetmit që kanë sulmuar A.A. Bëhet fjalë për katër persona me të njëjtin mbiemër. Tre prej tyre janë tashmë si të dyshuar, por çuditërisht, sipas burimeve të sigurta të Reporterit, pjesëtari i policisë nuk është arrestuar dhe as trajtuar si i dyshuar më pas. Të tre personat tjerë janë arrestuar e më pas liruar por në cilësinë e të dyshuarve.
Madje në dëshminë e tij në polici, viktima A. A ka thënë se ‘problemi ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme rreth një prone dhe se lëndimet i ka marrë nga pjesëtari i Policisë së Kosovës më inicialet Rr. H’. Tre personat tjerë kanë iniciale M.H, N.H dhe S.H. (Redaksia ka emrat e këtyre katër personave)
Burime të sigurta të Reporterit bëjnë me dije se ‘rasti i policit është dërguar në Inspektoratin Policor të Kosovës’. Gjithashtu, çështjen po e heton tash edhe Prokurori e Ferizajt. Po dje, rreth orës 10: 40, A.A dhe dy persona tjerë të përfshirë në ngjarje kanë marrë edhe tretman në Qendrën Emergjente në Ferizaj.